UBT ka kënaqësinë të ftojë studiues, profesionistë, akademikë dhe studentë nga mbarë bota që të marrin pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Shkencat Farmaceutike dhe Natyrore (IC-PNS 2025), e cila do të mbahet në kuadër të Konferencës së 14-të Ndërkombëtare të UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion.
Ky edicion synon të shërbejë si një platformë unike shkencore për shkëmbimin e njohurive, prezantimin e kërkimeve më të fundit dhe diskutimin e ideve inovative në fushën e shkencave farmaceutike dhe natyrore.
Qëllimi dhe objektivat
Konferenca ka për synim të nxisë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave mes studiuesve të rinj, doktorantëve, akademikëve, ekspertëve të fushës dhe profesionistëve të industrisë. Përmes këtij forumi ndërkombëtar do të trajtohen sfida dhe zhvillime të reja në farmaci, shkencat natyrore dhe ndikimin e tyre në shëndetin publik, teknologjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Fushat dhe temat e konferencës
Temat e konferencës janë të gjera dhe ndërdisiplinore, duke përfshirë:
- Farmaci dhe farmakologji;
- Farmakognozi & fitokimi;
- Bioteknologji farmaceutike;
- Kimi farmaceutike dhe kimia medicinale;
- Farmaci klinike dhe shëndeti publik;
- Farmakogjenomikë dhe farmacovigjilencë;
- Sisteme të reja të shpërndarjes së barnave dhe nanoteknologji;
- Biokimi, kimi organike, fizike dhe analitike;
- Biologji, bioteknologji, biologi molekulare dhe toksikologji;
- Shkencat e ushqimit dhe nutricionit;
- Shkenca mjedisore dhe biofizikë;
- Ekonomia e barnave dhe digjitalizimi në shëndetësi;
- Kërkime në onkologji dhe gjenetikë.
Ky spektër i gjerë tematik krijon hapësirë për diskutim multidisiplinar dhe bashkëpunim mes kërkuesve dhe praktikuesve.
Afatet e rëndësishme
Dorëzimi i abstrakteve: 10 tetor 2025
Njoftimi për pranim: 17 tetor 2025
Afati i hershëm i regjistrimit: 17 tetor 2025
Afati i vonuar i regjistrimit: 20 tetor 2025
Dorëzimi i punimeve të plota: 14 nëntor 2025
Vlerësimi shkencor (peer review): 17 tetor 2025
Udhëzime për autorët
Të gjitha materialet e dorëzuara duhet të jenë origjinale dhe të papublikuara më parë. Punimet që nuk janë në përputhje me kriteret e formatimit nuk do të merren parasysh. Gjatësia maksimale e punimit është 6 faqe. Udhëzimet e plota mbi standardet e pranimit dhe formatimin mund të gjenden në faqen zyrtare të konferencës: Konferenca e UBT-së