UBT News

Nga arkivat e QKK-së te kujtimet e luftës: Një vizitë studimore e studentëve të Artit dhe Medias Digjitale në UBT

Në kuadër të programit akademik të Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale (AMD) në UBT, studentët e klasave Dizajn Multimedia 1 dhe Efekte Vizuale dhe Film 1, nën udhëheqjen e ligjëruesve Dardan Luta dhe Laura Ymeri, zhvilluan një vizitë studimore me dy ndalesa kryesore që pasqyrojnë rëndësinë e njohjes së praktikës profesionale dhe historisë kulturore të Kosovës.

Vizita e parë u zhvillua në Qendrën Kinematografike të Kosovës (QKK), ku studentët u takuan me drejtoreshën Blerta Zeqiri. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi misionin dhe vizionin e QKK-së, mundësitë për aplikim të studentëve për financimin e filmave studentor në vitin 2026, si dhe rëndësia e mbështetjes së talenteve të reja në fushën e kinematografisë. Përveç kësaj, përgjegjësi arkivor Ilir Gjoci prezantoi studentët me arkivin e QKK-së dhe mënyrën e ruajtjes dhe mirëmbajtjes së materialeve filmike ekzistuese.

Vizita e dytë u realizua në Muzeun e Fëmijëve të Vrarë dhe Zhdukur gjatë Luftës, ku studentët patën mundësinë të njihen me ekspozitën “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”. Ata zhvilluan një bisedë të frytshme me udhëheqësen dhe kuratoren e ekspozitës, Blerta Hocia, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të drejtave humanitare.

Këto vizita studimore kanë një vlerë të veçantë për studentët e AMD-së, pasi ofrojnë një eksperiencë praktike që lidh dijen teorike me realitetin profesional dhe kulturor. Njohja me institucionet kulturore dhe historike ndihmon studentët të zhvillojnë aftësi kritike, të kuptojnë më mirë sfidat e industrisë së medias dhe kinematografisë, dhe të frymëzohen për projekte kreative dhe kërkimore.

UBT vazhdon të nxisë iniciativa të tilla, duke u siguruar studentëve infrastrukturën, mbështetjen dhe mundësitë për të zhvilluar aftësitë e tyre profesionale dhe për të kontribuar në zhvillimin e artit, medias dhe kulturës digjitale në Kosovë.

Exit mobile version