UBT News

Në UBT nisi punimet Kongresi i VII-të Ndërkombëtar TURKIC COSE 2025

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, u hap zyrtarisht Kongresi i VII-të Ndërkombëtar TURKIC COSE 2025 (Turkic World Congress on Science and Engineering), një nga ngjarjet më të rëndësishme shkencore në rajon që ka bashkuar dhjetëra rektorë universitetesh, profesorë, studiues dhe përfaqësues institucionalë nga shumë vende të botës.

Ky kongres prestigjioz po zhvillohet nga 13–15 nëntor 2025, nën organizimin e përbashkët të UBT-së, Niğde Ömer Halisdemir University (NOHU) nga Turqia, Azerbaijan Technical University (AzTU) nga Azerbajxhani, Kyrgyz-Turkish Manas University nga Kirgistani dhe Ahmet Yesevi University (AYU) nga Kazakistani.

Në ceremoninë solemne të hapjes morën pjesë personalitete të larta akademike dhe institucionale, përfshirë Rektori e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Prof. Dr. Hasan Uslu, Rektor i Universitetit Niğde Ömer Halisdemir (Turqi), Prof. Dr. Alpaslan Ceylan, Rektor i Universitetit Kirgiz-Turk Manas, Prof. Dr. Vilayət Məmməd oğlu Vəliyev, Rektor i Universitetit Teknik të Azerbajxhanit, Prof. Dr. Naci Genc, Zv/rektor i Universitetit Ahmed Yesevi (Kazakistan); si dhe përfaqësues nga Universiteti Teknik i Kievit dhe institucione të tjera ndërkombëtare nga Evropa, Azia dhe Afrika.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, u shpreh se kongresi përfaqëson një platformë të rëndësishme për bashkëpunim akademik dhe shkëmbim shkencor ndërmjet vendeve të botës turke dhe rajonit të Ballkanit.

“Është kënaqësi dhe nder i veçantë që mirëpresim sot në UBT një ngjarje të tillë ndërkombëtare si TÜRK-COSE 2025. Ky kongres bashkon mendjet më të ndritura në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe inovacion, dhe synon të ndërtojë ura të reja bashkëpunimi ndërkombëtar. UBT është i përkushtuar të mbetet qendër ekselence ku teoria dhe praktika, arsimi dhe industria, si dhe vizioni akademik e zhvillimi shoqëror, takohen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë”, theksoi ai.

Pas rektorit Hajrizi, fjalën e mori Prof. Dr. Hasan Uslu, Rektor i Universitetit Niğde Ömer Halisdemir (NOHU), i cili theksoi rolin e këtij kongresi në forcimin e bashkëpunimit shkencor ndërmjet vendeve të botës turke:

“Sot, shumë shkencëtarë të shquar nga bota turke, si dhe nga Azia, Afrika dhe Evropa, janë mbledhur këtu në Prishtinë për të ndarë dijen dhe për të promovuar bashkëveprim akademik. TURK-COSE 2025 fokusohet në tema strategjike si inteligjenca artificiale, Interneti i Gjërave, nanoteknologjia, qytetet e mençura dhe energjia e rinovueshme. Kjo ngjarje është dëshmi e unitetit akademik dhe shkencor mes kombeve tona”, u shpreh ai.

Ndërsa Prof. Dr. Alpaslan Ceylan, Rektor i Universitetit Kirgiz-Turk Manas, në fjalimin e tij vuri theksin te roli transformues i shkencës dhe teknologjisë në epokën e inteligjencës artificiale:

“Jetojmë në një kohë kur shkenca nuk mjaftohet më me vëzhgimin e natyrës, por krijon sisteme që mësojnë dhe mendojnë. Inteligjenca artificiale është bërë gjuha e përbashkët e gjithë shkencave. Kongrese si ky janë laboratorë idesh, ku lindin zbulimet e së ardhmes dhe ku ndërtohen ura bashkëpunimi midis brezave të shkencëtarëve”, theksoi ai.

Në vijim, Prof. Dr. Naci Genc, zv/rektor i Universitetit Ahmed Yesevi, vlerësoi rëndësinë e konferencës për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar:

“Ngjarje si TÜRK-COSE jo vetëm që nxisin ndarjen e dijes akademike, por edhe forcojnë miqësinë dhe partneritetin mes kombeve tona. Jam i bindur se idetë, prezantimet dhe bashkëpunimet që do të lindin këtu do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin shkencor dhe teknologjik të rajonit”, deklaroi ai.

Organizatori kryesor i kongresit, Prof. Dr. Murat Barut nga Universiteti Niğde Ömer Halisdemir, theksoi se edicioni i sivjetëm përfshin një program të pasur me mbi 14 sesione tematike që mbulojnë fusha të gjera si: inxhinieria dhe teknologjia, arkitektura dhe mjedisi i qëndrueshëm, mjekësia dhe bioteknologjia, inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital, shkencat natyrore dhe energjia e rinovueshme.

Në kuadër të kongresit do të prezantohen mbi 150 punime shkencore, me pjesëmarrje fizike dhe virtuale të studiuesve nga Turqia, Kosova, Azerbajxhani, Kirgizia, Kazakistani, Ukraina dhe vende të tjera të rajonit euroaziatik.

Me organizimin e këtij kongresi, UBT dëshmon edhe njëherë rolin e tij si një qendër ndërkombëtare e ekselencës akademike dhe inovacionit, duke forcuar pozicionin e Kosovës si një nyje e rëndësishme në rrjetin global të bashkëpunimit shkencor dhe teknologjik.

Exit mobile version