Këngëtari i mirënjohur, Afrim Muçiqi, përfaqësues i estradës në Odën e Hotelierisë, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se mbi 50 mijë persona kanë mbetur të papunë në këtë sektor. Ai thotë se të gjitha rrugët institucionale janë shterur dhe se nuk kanë zgjidhje tjetër pos protestave, nëse nuk lejohet hapja e restoranteve dhe organizimi i dasmave nga muaji prill.
Sipas tij, është i paarsyeshëm lejimi i aktiviteteve të tjera të ngjashme, duke shtuar se pronarët e këtyre bizneseve janë buzë “greminës”.
“Neve nuk na ka mbetur më rrugë institucionale, do të thotë të gjitha rrugët janë shterur, kështu që duhet edhe neve të na lejohet sepse jemi qytetarë të këtij vendi, ose të mbyllet për të gjithë e ta provojmë sepse vaksina nuk është askund, por nëse lejohet për disa të tjerë ku është logjika që të ndalohet për ne, dhe është dasmori ai që vendos se a e mban apo jo dasmën”, u shpreh ai.
Fajtorë kryesor për rritjen e numrit të rasteve me Covid-19, sipas tij janë partitë politike për grumbullimin e personave gjatë fushatës. Madje ai thotë se ata duhet të kërkojnë falje publike dhe të marrin përgjegjësi.
“Fajtorë kryesorë janë partitë politike të cilat janë përgjegjëse dhe duhet të kenë përgjegjësi publike para qytetarëve, para diasporës tonë, sepse e dimë shumë mirë që para fillimit të fushatës numri i rasteve ka qenë më i vogël, ndërsa menjëherë pas fushatës kaloi edhe 600. Kështu që shqetësimi jonë duhet me qenë nga këta njerëz të cilët e kanë sjellë situatën në këtë gjendje çfarë jemi. Sot bëhen 365 ditë që kur kemi qenë të mbyllur, ndërsa nuk e ndjejmë veten fajtorë për shpërndarjen e virusit sepse neve Instituti i Shëndetit Publik dhe organet përkatëse nuk na kanë lejuar t’i mbajmë dasmat dhe ne i kemi respektuar ato masa”, theksoi tutje ai.
Muçiqi shton se kërkesat e tyre janë normale, duke pohuar se gjenerimet e tyre vjetore sillen nga 600 deri në 800 milionë euro në arkë të shtetit.
“Në momentin kur në kohë fushate ju deshën sallat e dasmave këta të gjithë i shfrytëzuan, ndërsa i kanë ndaluar familjet që t’i mbajnë ahengjet e tyre. Në fund të fundit nuk po kërkojmë asgjë tjetër, por vetëm të mos përdoret standard i dyfishtë, por të lejohet ashtu si janë lejuar kafeteritë, qendrat tregtare gjithmonë duke ju përmbajtur masave, sepse nëse kanë vendosur masa për një kafeteri, duhet të vendosin edhe për restorantet. Kështu që ne kemi sjellë vendim që deri në fillim të muajit prill në rast se nuk lirohen masat sikurse për bizneset tjera, atëherë do të zgjedhim mjetet më radikale të mundshme që edhe ne ta ushtrojmë veprimtarinë tonë. Është një biznes që rigjeneron në vjet 600-800 milionë euro në arkë të shtetit, dhe të anashkalohemi nuk është e drejtë”, përfundoi ai.