UBT News

Merino eliminon Portugalinë, Spanja në çerekfinale

Spanja ka siguruar kalimin në çerekfinale të Kupës së Botës pasi mposhti Portugalinë 1:0 në Arlington të Teksasit. Ndeshja e fazës së një të tetës së finales ishte tejet dinamike dhe me raste të shumta, ku spanjollët rrezikuan përmes Oyarzabalit, Yamalit e Baenas, ndërsa portugezët u kundërpërgjigjën me Ronaldon, Felix dhe një traversë të Nuno Mendes. Portierët Unai Simon dhe Diogo Costa bënë pritje vendimtare për të mbajtur rrjetat e paprekura gjatë pjesës më të madhe të lojës.

Fati i derbit iberik u vendos në minutën e 90-të falë zëvendësimeve të qëlluara të trajnerit Luis de la Fuente. Ferran Torres, i inkuadruar në minutën e 75-të, asistoi mjeshtërisht për Mikel Merinon, i cili kishte hyrë në lojë në minutën e 85-të, për të shënuar golin e fitores së madhe. Ky eliminim i parakohshëm i Portugalisë mbyll me shumë gjasë edhe epokën e Cristiano Ronaldos, i cili u paraqit për herë të gjashtë dhe të fundit në një Botëror, pasi pati paralajmëruar tërheqjen pas këtij turneu. /E.A/

Exit mobile version