Finalet e fazës “play-off” kanë përcaktuar emrat e fundit të kombëtareve evropiane që do të udhëtojnë drejt Botërorit 2026, në një mbrëmje që dhuroi emocione të forta dhe befasi në skenën ndërkombëtare.
Bosnjë-Hercegovina, Çekia, Suedia dhe Turqia janë përfaqësueset që siguruan biletat e fundit për në Amerikë, duke lënë jashtë emra të mëdhenj të futbollit.
Vëmendja kryesore ishte në ballafaqimin mes Kosovës dhe Turqisë, i cili u mbyll me rezultatin minimal 1-0 në favor të turqve. Kjo fitore i mundëson Turqisë rikthimin në një kampionat botëror pas një pritjeje të gjatë prej 24 vitesh. Edhe pse Kosova nuk arriti të sigurojë biletën, paraqitjet e fundit të “Dardanëve” japin sinjale të qarta se përfaqësuesja shumë shpejt do të jetë pjesë e elitës botërore.
Befasia më e madhe e kësaj faze erdhi nga Bosnjë-Hercegovina, e cila eliminoi gjigantin italian. Pas një barazimi 1-1 që dërgoi ndeshjen në shtesa e më pas në penallti, humbja e dy goditjeve nga Bryan Cristante dhe Pio Esposito la Italinë për herë të tretë radhazi jashtë Botërorit, ndërsa u hapi rrugën boshnjakëve drejt ëndrrës amerikane.
Në të njëjtën mënyrë, përmes dramës së penalltive, kualifikimin e siguroi edhe Republika Çeke. Tre penallti të humbura nga Danimarka u bënë vendimtare që çekët të triumfonin dhe të prisnin biletën për rrugëtimin tutje.
Ndërkohë, Suedia u bë pjesë e kampionatit pas një fitoreje të ngushtë por mjaft të rëndësishme 3-2 kundër Polonisë.
