UBT News

Kuvendi miraton kredinë 60 milionë euro për kampusin e studentëve në kuadër të “Prishtina 2030”

Me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), që parasheh një kredi prej 60 milionë eurosh për renovimin dhe zgjerimin e kampusit të studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Investimi lidhet edhe me përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ku kampusi universitar pritet të shërbejë përkohësisht si fshati i atletëve.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të marrëveshjes në Kuvend, tha se projekti përfshin renovimin dhe zgjerimin e infrastrukturës së konvikteve, si dhe ndërtimin e renovimin e objekteve sportive në institucionet arsimore përreth kampusit.

Sipas Muratit, gjatë Lojërave Mesdhetare, kampusi do të përdoret për akomodimin e sportistëve, ndërsa objektet sportive të shkollave përreth do të shërbejnë si qendra stërvitore.

“Projekti do të sjellë përfitime për studentët, duke mbështetur njëkohësisht organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të mbahen në vitin 2030 në Prishtinë”, deklaroi Murati.

Përveç kredisë prej 60 milionë eurosh, marrëveshja parasheh edhe mundësinë e përfitimit të një granti investiv shtesë prej 10 milionë eurosh.

Investimet pritet të përmirësojnë ndjeshëm infrastrukturën e kampusit universitar dhe hapësirave sportive përreth. Pas përfundimit të Lojërave Mesdhetare, objektet e rinovuara do të mbeten në shërbim të studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe komunitetit.

Projekti synon që investimi të mos shërbejë vetëm për organizimin e “Prishtina 2030”, por të krijojë infrastrukturë të qëndrueshme për studentët dhe qytetarët edhe në vitet pas përfundimit të garave.

D.L

Exit mobile version