UBT News

Kërkimi i fjalës së lirë përmes grevës së urisë në Rilindje

28 vite më parë, nga 24 maji i vitit 1993 deri më 3 qershor të të njëjtit vit, gazetarët shqiptarë të Kosovës mbajtën grevë urie në Pallatin e Shtypit për mbrojtjen e fjalës së lirë. Greva nisi pasi Serbia nxori vendimin për marrjen nën kontroll të Pallatit të Shtypit, me çka përfundimisht gazetarëve shqiptarë u pamundësohej puna. Serbia po vendoste plotësisht terrin informativ në Kosovë. Grevës i priu Adem Demaçi. Pas 11 ditësh, pa asnjë rezultat, greva u ndërpre.

Në kohën e ish-Jugosllavisë, Radio Televizioni i Prishtinës – RTP ishte Radio Televizioni i parë i Kosovës. Puna e tij filloi në vitin 1945 në Prizren për të vazhduar funksionin deri në vitin 1990 kur u mbyll me dhunë nga forcat serbe, e të cilët nuk u ndalën vetëm me këtë mbyllje pasi që në të njëjtën kohë i ndaluan gazetës Rlindja botimin e saj. Pra përveç RTP-së, për informimin e shqiptarëve në atë kohë ishte edhe gazeta Rilindja, e cila ishte edhe gazeta e vetme e përditshme në gjuhën shqipe. Botimi i saj i parë ishte në vitin 1945. Gazeta shtypej në Shtypshkronjën Shtetërore në Prizren nga numri 1 deri në 60, kurse numri 61 i gazetës shtypej në Prishtinë në Shtypshkronjën Krahinore të Frontit Popullor.

Greva e urisë nga gazetarët e Rilindjes filloi 3 vite pas ndalimit të botimit të gazetës Rilindja, atëherë kur serbët pushtuan shtëpinë e mediave dhe shtypshkronjën.

Pra më 24 maj 1993 daton fillimi i grevës së urisë. Pallati i shtypit u bë shtëpia për njëmbëdhjetë ditët e ardhshme e Adem Demaçit, të cilit iu bashkangjitën edhe Ali Podrimja, Zenun Qelaj, Bardh Hamzaj, Nehat Islami, Shaip Beqiri, Idriz Ulaj, Milazim Krasniqi, Abdullah Konushefci, Bajram Kosumi, Vezir Uka, Shkelzen Stublla, Halil Matoshi, Blerim Shala, Besim Rexhaj, Gani Gashi, Shpend Vinca, Haqif Mulliçi, Agim Zogaj, Muhamet Ahmeti, Ali Hajdini, Safet Zejnullahu dhe Basri Çapriqi.

Disa gazetarëve gjendja shëndetësore iu është përkeqësuar para përfundimit të njëmbëdhjetë ditëshit dhe detyrimisht e ndaluan grevën më herët. Njëri nga ata ka qenë edhe Halil Matoshi.

“Unë me rekomandim të mjekëve Dr. Drita Mekuli, Dr. Faik Hima dhe Dr. Gani Demolli të cilët ishin afër neve e kam lënë grevën në ditën e shtatë, ndërsa kolegët tjerë kanë vazhduar. Gjatë grevës, me gazetarët e Zërit kemi përgatitur për shtyp një numër të revistës, kurse me poetin e ndjerë Ali Podrimjën kemi organizuar orë letrare dhe gazetën e murit me poezi e fotografi nga greva”, deklaroi ai.

Shefi i misionit të KSBE-së, tashmë OSBE-së në Prishtinë, greku Beniamin Karakostanoglu, gjatë kohës së grevës ishte në negociata për një marrëveshje me palën serbe për shfrytëzimin e përbashkët të resurseve të ndërmarrjes “Rilindja”. Ajo rezultoi se nuk ishte gjë tjetër veçse tjetërsim i shtypshkronjës, duke e pagëzuar “Gračanica” dhe duke i përzënë punëtorët shqiptarë nga puna.

Në një situatë të tillë të territ informativ në gjuhën shqipe, dy revista, “Zëri i Rinisë”, që ishte javore, si dhe “Bujku”, që ishte gazetë profesionale bujqësore, pësuan ndryshim duke u shndërruar në gazeta të aktualitetit dhe botoheshin më shpesh se normalisht, derisa “Bujku” nga stafi i Rilindjes përfundimisht u shndërrua në gazetë të përditshme. Në anën tjetër gazetarët e RTP-së, fillimisht siguruan një hapësirë 5 minutëshe për transmetimin e lajmeve në gjuhën shqipe në “Radio Zagrebi”, ndërsa më vonë siguruan hapësira transmetimi në “Radio Tirana” dhe në programin satelitor të “Televizionit Shqiptar”.

Historia e grevës së urisë është e lidhur me historinë e vetë popullit tonë dhe sakrificën e gazetarëve, të cilët në situatë okupimi ose lufte, interesin nacional e vendosin në radhë të parë, ndërsa profesionin e tyre e vënë në shërbim të atij interesi, pra e përdorin si armë për të arritur lirinë e kombit dhe atdheut.

(Autore e tekstit është Alketa Zejnullahu, studente e vitit të parë në Media dhe Komunikim në UBT)

Exit mobile version