UBT News

Këngëtari nga Mali, Salif Keita u bën thirrje artistëve për të rritur ndërgjegjësimin për albinizmin

Salif Keita, i njohur ndryshe edhe si Zëri i Artë i Afrikës u ka bërë thirrje artistëve të bashkohen në përpjekjet për rritjen e ndërgjegjësimit për albinizmin.

Me krijimin e Fondacionit Global Salif Keita në vitin 2015, këngëtari dhe tekstshkruesi nga Mali dha kontribut të madh në lëvizjen e albinizmit.

Në një intervistë për Anadolu Agency, Keita u bëri thirrje artistëve rreth globit të mbështesin dhe të shqetësohen më shumë rreth çështjes së albinizmit.

I përkushtuar për të punuar për kushte më të mira për albinët, Keita tha: “Ata janë të izoluar, të shënjestruar, të persekutuar, të sakrifikuar. Janë shumë ata që po sakrifikohen. Për këtë arsye, ne artistët duhet të jemi partnerë në këtë kauzë”.

“Këtë vit, pesë albinë u sakrifikuan për zgjedhjet në Mali. Kjo sepse nuk ka zgjedhje. Kur ka zgjedhje, ne duhet të bëjmë gjithçka që duhet për t’i mbajtur ata të sigurt”, deklaroi ai më tej.

“Duhet të gjendet një zgjidhje për këtë çështje sepse kur një figurë udhëheqëse kërkon të sakrifikohet një albin, nuk dënohet. Shoqëria duhet ta përqafojë këtë kauzë në mënyrë që ata që janë të përfshirë në sakrificat albino të marrin dënimet e nevojshme”, tha ai duke iu përkushtuar plotësisht në nivel global kësaj kauze.

Këngëtari 72-vjeçar u lind me albinizëm – një gjendje e trashëguar që manifestohet me lëkurë, flokë dhe sy në ngjyrë të zbehtë.

Muhammad Ali

Kolona zanore e Keita-s, “Tomorrow-Ali”, u shfaq në filmin e vitit 2001, “Ali”, që bazohej në jetën e legjendës së boksit, Muhammad Ali, dhe në të shkëlqente Will Smith.

Në lidhje me kolonën zanore, ai tha: “Ali është një burim i madh krenarie për zezakët dhe për këtë arsye, ne të gjithë mbështesim luftën e tij kundër racizmit dhe diskriminimit”.

“Kur m’u ofrua të kompozoja muzikën e filmit Muhammed Ali, u gëzova shumë që u zgjodh pjesa që e përgatita me shumë dashuri dhe guxim”, deklaroi ai më tej.

Duke folur për një pikë të përbashkët që ka me boksierin, Keita tha: “Unë nuk jam i bardhë, ndihem i zi. Gjaku ynë është i njëjtë. Sigurisht që kemi ngjashmëri për sa i përket luftës. Ai luftonte për një komunitet që u përjashtuan dhe u ekspozuan ndaj racizmit. Unë po luftoj për kauzën e albinos”.

Ai vazhdoi duke thënë: “Më pëlqeu më së shumti arroganca e tij dhe rebelimi i tij[…] dhe sigurisht është një boksier shumë i mirë”./UBTNews/

Malian singer Salif Keita calls on artists for raising awareness of albinism


Exit mobile version