Kanye West është pezulluar nga Instagrami pasi e ofendoi drejtuesin e “Daily Show”, Trevor Noah. Këtë e konfirmoi për CNN një zëdhënës i kompanisë Meta.
Sipas kompanisë Meta, West ka shkelur politikat e platformës për gjuhën e urrejtjes, bullizmin dhe ngacmimin. Atij i është ndaluar postimi, komentimi dhe veprimet e tjera për 24 orë dhe kompania do të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse është e nevojshme, tha zëdhënësi.
West e ofendoi moderatorin Noah të mërkurën, pasi ai foli për trajtimin që reperi po ia bën ish-bashkëshortes së tij Kim Kardashian dhe të dashurit të saj, komedianit Pete Davidson.
“Mund të mos ju vijë keq për Kim sepse ajo është e pasur dhe e famshme. Por ajo që po e përjeton Kim është e tmerrshme dhe sjell në qendër të vëmendjes atë që kalojnë kaq shumë gra kur zgjedhin të largohen”, deklaroi ai./UBTNews/