Të famshmit dhe aktivistët e njohur rreth botës po i bashkohen eventit “Global Citizen Live” për një ditë të plotë, për të fuqizuar kampanjën rreth mbrojtjes së planetit dhe luftimit të varfërisë.
Billie Eilish, The Weeknd dhe Lizo janë vetëm disa nga yjet që do të paraqiten në “Global Citizen Live”, një event virtual për 24 orë me performance direkte nga gjashtë kontinente. Ky event do të mbahet të shtunën e 25 shtatorit.
Me transmetim direkt nga Central Park në New York, the Champ de Mars në Paris dhe lokacione të tjera rreth botës, në këtë shfaqje do të marrin pjesë Ed Sheeran, BTS, Coldplay, Shawn Mendes, Andrea Bocelli, Metallica, Lorde, Doja Cat, Keith Urban, Usher, H.E.R., Duran Duran, Femi Kuti dhe Lang Lang. Edhe emrat e artistëve të tjerë që do të performojnë në këtë event do të bëhen të ditur së shpejti.
Eventi është pjesë e planit global të rimëkëmbjes, një kampanjë që synon t’i jap fund pandemisë COVID-19. Po ashtu është pjesë e kampanjës së vazhdueshme për të nxitur bizneset dhe filantropët të përdorin burimet e tyre “për të mbrojtur dhe restauruar të paktën 1 miliard pemë deri në vitin 2022 për të parandaluar ndryshimin e klimës; dhe për të siguruar ushqim për më shumë se 40 milionë njerëz në prag të urisë”./UBTNews