UBT News

Gjermani:Më shumë të rinj pa punë dhe pa arsimim profesional

Në Gjermani po rritet përqindja e të rinjve që nuk arrijnë më të kalojnë me sukses nga shkolla në tregun e punës. Sipas një eksperteje, në këtë mënyrë Gjermania po humbet edhe fuqi punëtore të rëndësishme të kualifikuar.

Dhjetë për qind e të rinjve të moshës 20 deri në 24 vjeç në Gjermani nuk ishin as të punësuar dhe as në ndonjë program arsimi apo trajnimi gjatë vitit 2025. Këtë e bëri të ditur Zyra Federale e Statistikave në Wiesbaden. Kjo përqindje është rritur vazhdimisht vitet e fundit. Në vitin 2022 ajo ishte ende 8,8 për qind.

Arsyet janë të ndryshme. Statisticienët iu referuan Raportit Kombëtar për Arsimin për vitin 2024, sipas të cilit 25 për qind e personave të prekur në Gjermani konsideroheshin si në kërkim pune. Megjithatë, dy të tretat e tyre nuk ishin fare të disponueshëm për tregun e punës. Arsyet më të shpeshta të përmendura ishin detyrimet për kujdes familjar dhe kufizimet shëndetësore.

“Perspektivë e pasigurt për të ardhmen”

Instituti për Kërkime Ekonomike dhe Sociale (WSI), pjesë e Fondacionit Hans Böckler të afërt me sindikatat, e vlerësoi këtë zhvillim në Gjermani si “shqetësues”.

Për të rinjtë e prekur kjo nënkupton “një perspektivë të pasigurt për të ardhmen dhe me shumë gjasa një karrierë profesionale të vështirë dhe me pengesa”, tha drejtoresha shkencore e WSI-së, Bettina Kohlrausch.

“Për tregun gjerman të punës kjo do të thotë se humbasin specialistë të rëndësishëm dhe fuqi punëtore e kualifikuar.”

Kohlrausch theksoi se nevojiten urgjentisht më shumë oferta cilësore të formimit profesional dhe më shumë mbështetje për të rinjtë, në mënyrë që ata të mund të përfundojnë me sukses rrugën drejt një profesioni dhe më pas drejttregut të punës.

Sipas saj, një garanci e vërtetë për formimin profesional do të ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. “Megjithatë, për këtë qëllim rregulloret ekzistuese duhet të zgjerohen dhe të zhvillohen më tej.”

 

Përqindje relativisht e ulët e grupit “NEET”

Në krahasim me vendet e tjera evropiane, përqindja e Gjermanisë mbetet ende e ulët. Mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Evropian ishte 12,9 për qind për grupmoshën 20 deri në 24 vjeç.

Ky grup njihet ndërkombëtarisht si NEET (“Not in Employment, Education or Training”), që do të thotë persona që nuk janë të punësuar, nuk ndjekin arsimim dhe as trajnime profesionale.

Përqindja më e ulët u regjistrua në Holandë me 5,6 për qind, pasuar nga Suedia me 7,3 për qind dhe Çekia me 7,6 për qind.

Përqindja më e lartë u shënua në Rumani me 22,8 për qind, Bullgari me 17,3 për qind dhe Francë me 16,2 për qind. Për Luksemburgun nuk kishte të dhëna aktuale.

Situatë e ndryshme mes qytetit dhe zonave rurale

Në Gjermani, gratë e reja preken pak më shpesh nga kjo dukuri sesa burrat e rinj. Ky dallim vihet re edhe në mesataren e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, një pamje jo e njëtrajtshme shfaqet kur krahasohen qytetet me zonat rurale. Në Gjermani, të rinjtë që jetojnë në qytete të mëdha janë më shpesh pa punë ose pa formim profesional sesa ata që jetojnë në zonat rurale. Në nivel të përgjithshëm të Bashkimit Evropian, situata është e kundërt: të rinjtë në zonat rurale preken më shumë nga ky fenomen sesa ata në qytete. /DW/

 

 

Exit mobile version