UBT News

“Është e vështirë të krijosh botë për librin”

Një nga shkrimtarët me në zë të momentit, Albatros Rexhaj i ftuar në emisionin “N’STOP” në Radio Campus tregoi për dëgjuesit vështirësitë e të qenit shkrimtar, veprat e tij më të mira dhe kuptimet që fshihen pas tyre.

Sipas Rexhajt, sot nuk është e vështirë të botosh një libër, por t’i gjesh librit vendin tek publiku e qëllim ky sipas të cilit ai e ka arritur, duke pasur parasysh edhe suksesin e tij përgjatë viteve të fundit.

“Sot nuk është vështirë të botosh një libër, sot kanë ndryshuar kohërat nuk është si përpara kur ka qenë vërtet vështirë sepse shoqëria totalitare nën komunizëm ka pas shumë mekanizma që e kanë frenuar veprimin kreativ. Sot është lehtë të botosh një libër, është lehtë edhe ta shkruash ku di unë, por është vështirë që të krijosh botë për librin tënd dhe që libri të gjej rrugën deri te lexuesi edhe këtu ndikojnë shumë faktorë. Pavarësisht që jeta moderne e ka bërë më të lehtë me e nxjerr librin në formë fizike, në të njejtën kohë nuk është më lehtë, madje mund të them është shumë më vështirë që libri të gjej hapësirën e vetë dhe ta krijojë botën e vetë”, tregon ai.

I pyetur për veprat që i ka më përzemër dhe që i do më shumë, ai tregoi nder të tjera edhe kuptimet që fshihen pas veprave të tij.

Ndër veprat më të njohura të tij mbeten “Zonja Z”, “Kthimi” dhe “Edith”, e që sipas tij, secili nga këto libra ka kuptim të veçantë e të ndryshëm nga njëri-tjetri.

“Unë kështu i ndaj do të thotë “Zonja Z” është libri im më provokues, ku unë kam dashur të jem me qëllim provokues, libri “Kthimi” është libri më personal, do më thënë aty jam përpjekur që Albatrosi të duket sa më shumë që është e mundur te libri “Kthimi”, edhe për këtë arsye unë e dua atë libër në mënyrë të veçantë. Ndërsa libri “Edith” është libri më pasionant i imi, ku unë e kam shkrirë të gjithë pasionin që e kam si njeri, pasionin shpirtëror që e kam e kam shkrirë te ai libër”, tregon ai duke treguar ndër të tjera edhe se në këto vepra të tij vërehet fryma e njejtë, mirëpo në mënyra dhe këndvështrime të ndryshme.

Së fundmi, Rexhaj ka filluar studimet në drejtimin “Juridik” në UBT dhe sipas tij, kjo zgjedhje erdhi për arsye që e kishte pasion shumëvjeçar këtë fushë. Tutje ai shton se një ngjarje e tillë me rëndësi në jetën e tij po del te jetë një eksperiment social shumë interesant për të dhe prej të cilit pret të përfitojë shumë.

Krijimtaria e Albatros Rexhajt përbëhet nga këto vepra “Ditar dashurie i një shkrimtari”, “Kthimi”, “Lettera a un amico italiano dal Kosovo”, “Zonja Z”, “Në kërkim të daljes”, “Rebelimi i Lúlus”, “Edith”, dhe “Bombë në Beograd”.

Exit mobile version