UBT News

Ekspozita “Objekti Kujtesë” sjell interpretimet kreative të studentëve të vitit të parë të Artit dhe Dizajnit në UBT

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, studentët e vitit të parë të Fakultetit të Artit dhe Dizajnit prezantuan ekspozitën “Objekti Kujtesë”, të realizuar në kuadër të lëndës Skulpturë (Semestri II), nën mentorimin e profesorit Burim Berisha.

Ekspozita paraqiti një seri punimesh që eksplorojnë marrëdhënien ndërmjet objektit, kujtesës dhe përditshmërisë, duke transformuar objekte të zakonshme në forma skulpturore me vlera estetike dhe konceptuale.

Përmes përdorimit të materialeve të gjetura, objekteve të përdorimit të përditshëm dhe materialeve të ricikluara, studentët krijuan vepra që tejkalojnë funksionin fillestar të objektit, duke i dhënë atij kuptime të reja dhe dimensione artistike. Çdo punim shpalosi histori, kujtime dhe reflektime personale e kolektive, duke dëshmuar potencialin krijues dhe aftësinë e studentëve për të zhvilluar gjuhë bashkëkohore artistike.

Ekspozita “Objekti Kujtesë” ofroi një hapësirë dialogu mes artit, kujtesës dhe materialitetit, duke nxitur publikun të reflektojë mbi mënyrën se si objektet e përditshme mund të bartin histori, emocione dhe identitete.

Exit mobile version