UBT News

Çeku: Vepra e Ismet Bogujevcit është një vulë e pashlyer e kohës, do ta ruajmë trashëgiminë e tij artistike

Ditë më parë ka ndërruar jetë doajeni i muzikës popullore dhe folklorit shqiptar, Ismet Bogujevci. Sot është mbajtur edhe mbledhje komemorative për Bogujevcin, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e ku u vlerësua lartë veprimtaria e tij.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku tha se jo rastësisht Ismet Bogujevci quhet doajeni i këngës shqipe, meqë ai kanalizonte energji të mahnitshme përmes tingujve të veçantë. Ai tha edhe se Bogujevci i takon një gjenerate që i kontribuuan vazhdimisht historisë moderne dhe se këngët e tij do të ruhen si trashëgimi artistike që i la Kosovës.

“Ju dhe gjithë ne humbëm një njeri të madh dhe personalitet të shquar kombëtar që përmes këngës popullore lartësoi vlerat tona për dekada të tëra[…]I ndjeri nuk quhet doajen i këngës shqipe rastësisht, ai mëshironte këngët që i këndonte në skenë, të bënte ta përjetoje e ta ndjeje emocionin që ai e përçonte derisa këndonte, ai e bënte publikun për vete me modestinë dhe shprehjen e tij të këndshme dhe kanalizonte një energji të mahnitshme me tingullin e veçantë të tij të këndimit për të cilin shquhet nga i gjithë komiteti artistik. Ismeti i takon një gjenerate që kontribuuan vazhdimisht në fazat më të vështira të historisë sonë moderne që përmes këngës kthenin sado pak shpresën atëherë kur populli jonë ishte më së rëndi atëherë kur ishte në pranga të një sistemit robërues me projekt zhbërës për kombin tonë. Kosova është burim i pashtershëm i kreativiteti dhe krijimtarisë artistike, veprimtaria e kulturore e këtyre personaliteteve shërben si testament i kësaj që e bënë Kosovën kjo që është sot. I ndjeri është dëshmi i vlerave më të larta të kombit. Vepra e tij është një vulë e pashlyer e kohës. Kosova gjithmonë do ta vlerësoj lartë Ismet Bogujevcin për kontributin e tij dhe do të përkujdeset për ruajtjen e trashëgimisë së tij artistike që e la për vendin tonë”, deklaroi ai.

Motra e Ismetit, Valbona Bogujevci tha se ai ishte një shembull se si duhet të jetë një prind, burrë, vëlla e mik duke theksuar se Ismetin do ta kujtojnë gjithmonë për urtësinë dhe fjalën e peshuar.

“Disa njerëz vijnë në këtë botë për të qenë të veçantë dhe pasatja kur të na lënë boshllëk shumë të madh. Ismeti ishte edhe si artist edhe si njeri, ai ka dhënë shembull të mirë se çfarë duhet të jetë një prind, një burrë, një mik. Ishte gjithmonë i pranishëm për familjen në momente të vështira dhe të mira. Të gjithë e dini sa i dashur ka qenë, ka pas shumë dashuri në zemrën e tij. Do te kujtojmë gjithmonë për urtësinë, për modestinë dhe për fjalën e peshuar. Jemi shumë krenar që e kemi pas dhe jemi me fat që kemi me vazhdu me i dëgju këngët e tij”, është shprehur ajo.

Shfeqet Gjocaj nga Ansambli Gjocaj kujtoi Bogujevcin si njeri motivues dhe përkrahës.

“Kam qenë i nderuar që kam ardhur në ansambël kur ka qenë Ismet Bogujevci[…]Aura e tij ishte aq e madhe në një far forme mua me vinte keq të them se unë në vend të tij të pranoj pozitën e drejtorit të ansamblit. Ishte gjithmonë motivues dhe përkrahës”, tha ai.

Ismet Bogujevci ishte solisti ndër dekada i Ansamblit Kombëtar “Shota” dhe i shumë shoqërive që kanë lënë nam në Kosovë dhe trojet shqiptare. Ai ka interpretuar një mori këngësh të famshme e ka pasur edhe shumë bashkëpunime. “Një lulishte”, “Kënga e Jemenit”, “Sillma erën e malit” – janë vetëm disa prej projekteve të tij të njohura.

Exit mobile version