Profesori i Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale në UBT, Burim Berisha, do të prezantojë ekspozitën e tij personale “RESIDUE”, e cila do të hapet më 18 korrik në Institutin e Artit Bashkëkohor ARKIV në Pejë.
Ekspozita është pjesë e programit kuratorial të institucionit dhe paraqet një përmbledhje të praktikës artistike të Berishës, të zhvilluar përgjatë më shumë se 25 vjetësh krijimtari në fushën e artit bashkëkohor.
Përmes skulpturës dhe instalacioneve që ndërthurin elemente si tingulli, tymi, dheu dhe materiale të ndryshme, “RESIDUE” eksploron marrëdhënien ndërmjet kujtesës, transformimit dhe gjurmëve që mbeten pas një ngjarjeje, personi apo objekti. Veprat ftojnë publikun në një reflektim mbi praninë dhe mungesën, duke e trajtuar artin si një proces që ruan dhe rikrijon kujtesën përtej momentit të krijimit.
Në këtë ekspozitë, figura nuk paraqitet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ndërtohet përmes materialit, shenjave të pranisë dhe hapësirës, duke krijuar një dialog mes asaj që është e dukshme dhe asaj që mbetet e nënkuptuar.
Ekspozita “RESIDUE” dëshmon për angazhimin e vazhdueshëm artistik të Prof. Burim Berishës dhe kontributin e tij në zhvillimin e artit bashkëkohor, si në Kosovë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

