Arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjës Fatos Tushe dhe zyrtarëve të tjerë nuk do jetë rast i izoluar.
Kështu u shpreh avokati Spartak Ngjela në studion e “Raw Politics”, duke sjellë në vëmendje se procesi i vettingut ka dhënë efekte të qarta pasi ka larguar një numër të lartë gjyqtarësh të korruptuar nga sistemi i drejtësisë.
Ai theksoi se Byroja Kombëtare e Hetimit e ka sfidë që çdo indicie ta përkthejë në provë ligjore pasi në të kundërt çdo arrestim do ishte i pavlerë.
“Nuk ma ha mendja që është vetëm Lushnja. Vetingu ka hequr deri tani mbi 60% të gjyqtarëve. Janë krijuar dy institucionet të reja, prokurori dhe gjykatë e posaçme. BKH duhet t’i kthejë këto përgjime në prova gjyqësore”, tha avokati.
Përballë moderatores Erla Mëhilli, avokati Ngjela shprehet se strukturat e policisë janë të korruptuara e ku përmend se në Shqipëri ka pasur vazhdimisht marrëveshje të heshtur mes sistemit gjyqësor dhe qeverive.
“Policia e tij [kryeministrit Rama] është e korruptuar e gjitha. Ka shumë korrupsion, pse kryeministri iu turr policisë së tij? Në qoftë se nuk ekziston korrupsioni shtetëror nuk bën asgjë krimi i organizuar në funksion të shtetit. Këta kanë përfituar se nuk kanë pasur pushtet gjyqësor të fortë. Këta kanë pasur një marrëveshje të heshtur midis pushtetit gjyqësor dhe të gjithë qeverive”, shtoi ai.
Avokati u shpreh kritik për partitë politike në Shqipëri kur thotë se janë të “pushtuara nga korrupsioni”, ndërsa shtoi se qytetarët shqiptarë do duhet të shfaqen më optimistë për vetë faktin se interesi i tyre bashkohet me interesin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë në Shqipëri.
“Partitë i ka pushtuar korrupsioni. Shqiptarët duhet të jenë optimistë se ka interes të madh amerikan. Amerika… të ndërhyjë dhe t’u thyejë brinjët. Interesi amerikan dhe interesi shqiptar konvergojnë në një pikë”, shtoi Ngjela.
Gazetari i kronikës në Euronews Albania, Eni Ferhati thotë se pritshmëria e publikut te SPAK-u është shumë e lartë dhe për këtë kjo strukturë duhet të godasë në nivele të larta dhe jo vetëm tek zyrtarët e thejshtë.
“Pritshmëritë janë shumë të larta. Sa më lart të godasin aq më mirë do të jetë”, tha gazetari.