UBT News

UBT shënon International Jazz Day me koncert artistik në Parkun Shkencor

Me rastin e International Jazz Day, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u organizua një koncert i veçantë në UBT Concert Hall, duke sjellë një atmosferë artistike dhe një përvojë unike për studentët dhe dashamirësit e muzikës.

Ky aktivitet u realizua nga klasa e profesorit Dukagjin Muhaxheri, duke vënë në pah talentin dhe përkushtimin e studentëve në interpretimin e veprave të njohura dhe improvizimeve jazz. Programi i koncertit përfshiu performanca të ndryshme, ku Ledian Shala interpretoi në piano solo vepra të Chopin dhe improvizime, Sunaj Qerimi solli “Summertime” në klarinetë dhe piano, ndërsa Leon Shehu performoi “Habanera” për flautë dhe bend.

Në vazhdim, profesori Dukagjin Muhaxheri u prezantua me “Tico Tico” në saksofon, i shoqëruar nga bendi, ndërsa pjesa përmbyllëse përfshiu performanca të përbashkëta si “Caravan” dhe “Mo Better Blues”, të interpretuara nga Bendi i UBT-së me pjesëmarrjen e studentëve Shend Xhini, Rinor Hysemi, Sunaj Qerimi, Ledian Shala dhe vetë profesori Muhaxheri.

Ky koncert është një dëshmi e qartë e angazhimit të UBT-së për të promovuar artin dhe kulturën brenda komunitetit akademik, duke u ofruar studentëve hapësira konkrete për të shfaqur talentin e tyre dhe për të zhvilluar aftësitë profesionale në skenë.

Përmes programeve të tij në fushën e muzikës dhe arteve, UBT vazhdon të ndërthurë teorinë me praktikën, duke organizuar aktivitete të rregullta si koncerte, performanca live dhe projekte artistike që i përgatisin studentët për sfidat reale të industrisë kreative.

Ngjarje të tilla jo vetëm që pasurojnë jetën studentore, por gjithashtu dëshmojnë përkushtimin e UBT-së për të krijuar një mjedis dinamik, inovativ dhe ndërdisiplinor, ku talenti zhvillohet dhe promovohet në mënyrë të vazhdueshme.

Exit mobile version