Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 70 vota “për” dhe 47 “kundër” dhe pa asnjë të përmbajtur, votoi rendin e ditës për seancën e sotme, në të cilën ka vetëm një pikë në rendin e ditës, respektivisht Propozimi për qasje deri te ndryshimet kushtetuese, me të cilën parashihet futja e bullgarëve, malazezëve, kroatëve dhe hebrenjve në Preambulën e Kushtetutës.
Për miratimin e nevojës për ndryshimet kushtetuese nevojiten 80 deputetë.
Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi në nisje sqaroi procedurat e debatit dhe nxori menjëherë në votim rendin e ditës.
“Rendin e propozuar të ditës e vë në votim. Ju bëj thirrje të votojmë……….Gjithsej votuan 117 deputetë, për votuan 70 deputetë, kundër 47 deputetë. Nuk ka të përmbajtur. Konstatoj se u miratua rendi i propozuar i ditës”.
Votimi i vetëm 70 e jo 80 deputetëve për rendin e ditës entuziazmoi opozitën maqedonase.
Ndërkohë në një fjalim para deputetëve kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se që nga pavarësia e shtetit fokusi i Maqedonisë së Veriut ka qenë gjithmonë eurointegrimi.
“Propozimi për plotësimin e Kushtetutës ka një relacion dhe motiv të vetëm, që është anëtarësimi në BE. Kjo kërkohet dhe pritet nga shumica e qytetarëve në vend. As më shumë e as më pak. Propozimi është i joni, maqedonas. Propozimi është i bazuar në propozimin e BE-së dhe marrëveshjen e vitit 2022, me të cilin shteti pas pritjes shumëvjeçare përfundimisht hapi negociatat për anëtarësim. Propozimi është shkruar këtu në Shkup. Propozimi debatohet në Kuvendin tonë dhe për këtë arsye me përgjegjësi të plotë i hedh poshtë tezat e rreme dhe të pavërteta se ekziston diktat nga dikush për çfarëdo qoftë. Ekziston vetëm mundësia e tanishme, e jona dhe historike”.
Kryeministri Kovaçevski tha se kjo është dita kur duket qartë kush ia do të mirën e vendit e kush jo.
Eurodeputeti Ilhan Qyçyk, i cili është edhe raportues për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, para fillimit të seancës plenare kushtuar nevojës për hapjen e Kushtetutës, tha se bashkimi në vend është i domosdoshëm për procesin e ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij, ndryshimet nuk janë nën diktat bullgar, por tashmë janë detyrime evropiane.
“Së pari, nuk do të ketë asnjë ndryshim në qëndrimin e BE-së – nuk ka dëshirë as Komisioni Evropian dhe as Këshilli të angazhohen për ndryshimin e rregullave disa muaj para zgjedhjeve evropiane. Rregullat janë të tilla, janë të dakorduara dhe të gjithë duhet t’i respektojnë. Së dyti – nuk do të ketë ofertë më të mirë, sepse kjo është më e mira”, deklaroi ai.
Në një intervistë për radion bullgare, Qyçyk shtoi se zgjedhja është unike për politikanët maqedonas.
“Nëse VMRO-DPMNE nuk dëshiron të jetë në anën e evropianizimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjësia do të jetë e partisë, por fatkeqësisht kjo do ta ndalë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së në një kohë jo shumë të shkurtër”, deklaroi ai.
Kyçyk shtoi gjithashtu se ka shumë gjasa që Maqedonia të shkëputet nga pakoja me Shqipërinë në rrugën drejt BE-së. Që kjo të mos ndodhë, Shkupi duhet të përfundojë procesin e ndryshimeve kushtetuese brenda afateve të shprehura.
Ndryshe, sipas procedurave, kjo e sotmja është vetëm faza e parë nga tre të parapara për ndryshimin e Kushtetutës. Seanca për nevojën e hapjes së Kushtetutës mund të zgjasë maksimumi dhjetë ditë pune. Nëse arrihet shumicë prej dy të tretash, atëherë kalon në fazën e dytë. Pastaj Qeveria duhet të përgatisë tekstin e draft-amendamenteve dhe të dorëzojë arsyetim. Pas kësaj, është planifikuar që teksti të prezantohet në seancë publike, e cila nuk duhet të jetë më e gjatë se 30 ditë. Pasi të përcaktohet draft teksti përfundimtar i amendamenteve, ai do të votohet sërish në seancë plenare, por për këtë do të nevojiten 61 vota. Më pas do të pasonte faza e fundit, e tretë e procesit të ndryshimeve kushtetuese dhe vendimi përfundimtar për ndryshimin e aktit më të lartë juridik – Kushtetuta, sërish sillet me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra me të paktën 80 vota. I gjithë procesi mund të përfundojë në tre muaj e gjysmë dhe të përkojë me përfundimin e fazës së shqyrtimit në fillim të dhjetorit, gjë që shpreson qeveria. Por, autoritetet njoftuan se në rast se nuk do të kenë shumicë prej dy të tretash, do të bindin deputetët e opozitës deri në përfundim të mandatit të përbërjes aktuale parlamentare, pra deri në qershor të vitit të ardhshëm./RTV 21-Alsat.mk/