Libri “78 bombardime të NATO-s” i autorit Shyqri Nimani, përmban pasqyrimet e shumta të gazetave britanike mbi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe Serbi, por edhe piktura të një të riu, i cili kur kishte nisur t’i pikturojë ato ishte vetëm 11-vjeçar dhe atë si refugjat.
Labinot Sahiti si i vogël kishte përjetuar luftën në Kosovë me vizatimet e tija të para të shtëpisë së tij të djegur, bombardimet e NATO-s, refugjatët e ngjarje të tjera të asaj kohe. Ai tregon se si 11-vjeçar kishte përjetuar ankthin e luftës dhe djegia e shtëpisë së tij kishte qenë momenti vendimtar që e shtyu të fillonte me pikturim.
“Si fëmijë 11-vjeçar kur e kam bërë këtë punim, kemi qenë si refugjatë në Maqedoni, dhe kam qenë duke lozur me moshatarët e mi dhe papritmas më ka ardhur lajmi që shtëpia ime është djegur. Pastaj kam vrapuar te tenda, dhe nga mërzia ka shpërthyer arti im, kam filluar vizatimet e mia të para, skena nga lufta, shtëpia të djegura, masakra të ndryshme… Unë kam marrë pjesë edhe në një film dokumentar në atë kohë, me një staf japonez me temë nga lufta. Aty më kanë përcjellë si një fëmijë që ka arritur ta përjetojë luftën me anë të përjetimeve dhe ngjarjen e bombardimeve të NATO-s”, thotë Sinani.
Ai gjithashtu tregon për momentet kur e kishte kuptuar se Shyqri Nimani pikturën e tij që e kishte ruajtur me xhelozi, e kishte vendosur në librin e tij të botuar.
“Kontakti im i parë me Shyqri Nimanin ka qenë në vitin 2000. E mbaj mend sikur sot takimin e parë. Pasi ka parë pikturat e mia, ai i ka ruajtur me shumë xhelozi. Sot pikturën time e ka të vendosur në librin e tij të quajtur si Guernicë të Kosovës, dhe e ka konsideruar me Pablo Picason… (6:00) Kur mora lajmin që punimi im ka hyrë në “78 ditë bombardim”, fillimisht u befasova, dhe me një anë më ktheu në kohën ‘98/99, sepse nuk e prisja, ishte një surprizë për mua”, thotë Sahiti.
Ai gjithashtu flet për pikturat e tij për të cilat thotë se i ka ndarë në disa etapa historike.
“Kjo pikturë ka një tematikë shumë interesante në tri etapa. Është Skënderbeu, plisi i bardh, shpata e tij, çiftelia, Adem Jashari, refugjatët duke ikur në Kosovë e Maqedoni, shtëpia duke u djegur, varrezat masive. Në pjesën e dytë është rruga e Lubotenit në Sharr, shumë kanë emigruar duke ikur në Maqedoni. Më poshtë janë KFOR-i duke hyrë në Kosovë, NATO duke sulmuar Serbinë, dhe në fund është Kosova duke lulëzuar në lule-bozhur”, shprehet Sahiti.
Ndryshe, libri “78 bombardime të NATO-s”, u promovua më 17 shkurt të këtij viti, në përvjetorin e 14-të të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.