Sot mbushen katër vjet nga dhuna në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, e cila mbahet mend si “E enjtja e përgjakshme”.
Në Kuvend me një numër të madh të replikave dhe kundra-replikave saktësisht në mesditë fillon vazhdimi i njëzet i seancës konstitutive të Kuvendit, në të cilën në rend dite është edhe pika për zgjedhjen e deputetit të BDI-së, Talat Xhaferi për kryetar të ri të Kuvendit.
Jashtë, para godinës së Parlamentit mbahen protestat e 60-ta të iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” me kërkesën për hedhjen poshtë e të a.q. “Platformë të Tiranës” dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Në orën 14:00 lideri i LSDM-së Zoran Zaev, kërkon respektim të Rregullores dhe të kalohet në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se ka shumicë të re parlamentare me 69 deputetë.
Në orën 18:00 kryesuesi Trajko Veljanovski e ndërpret vazhdimin e 20-të të seancës konstitutive të Kuvendit, por deputetët mbeten në sallën plenare dhe shumica e re parlamentare zgjodhi deputetin e BDI-së Talat Xhaferi kryetar të ri të Kuvendit.
Në orën 18:30 në sallën për media deputetët përgatiten për konferencën për media të Zoran Zaevit dhe Talat Xhaferit, meqë katër muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe pas një dekade shteti u bë me shumicë të re në pushtet.
Përderisa zgjatë konferenca për media e Talat Xhaferit në monitorët deputetët dhe gazetarët shikojnë se si një turmë qytetarësh depërton rrethojën mbrojtëse të kordonit policor dhe vjen deri te dyert e Kuvendit. Derisa flet Zaevi, turma tashmë hyn në Kuvend dhe sigurimi i mbyll dyert e sallës për media.
Për më shumë se tri orë, policia nuk arrin të vendosë kontroll mbi situatën
Rreth dy orë në sallën e mediave në katin e parë disa deputetë, në mesin e të cilëve edhe kryeministri asokohe i ardhshëm Zoran Zaev dhe kryeparlamentari i sapozgjedhur Talat Xhaferi janë nën rrethim dhe goditje nga turma e qytetarëve. Zyrtarisht, mbi 100 persona përfundojnë në spital, ndërsa më kritike ishte gjendja e deputetit Ziadin Sela.
Dënimi i përgjithshëm me burg prej 211 vjetësh për 16 të akuzuarit për “Të enjten e përgjakshme”
Rasti për ngjarjet në Kuvend më 27 prill të vitit 2017 filloi më 22 gusht të vitit 2018 dhe është njëri prej më të mëdhave në historinë më të re të Maqedonisë Veriore. Fillimisht procesi nisi kundër gjithsej 33 personave, prej të cilëve 31 persona për rrezikim terrorist të rendit kushtetues të shtetit dhe dy persona për nxitje. Por, pas miratimit të Ligjit për amnisti u amnistuan 15 persona.
Në kuadër të procedurës së dëshmuar janë marrë në pyetje rreth 50 dëshmitarë, si edhe një dëshmitar i mbrojtur, në dëshmimin e të cilit ishte përjashtuar opinioni. Si dëshmitarë u morën në pyetje kryeministri aktual Zoran Zaev, ministri Damjan Mançeski, ish-kryeparlamentariTrajko Veljanovski, peshkopi Pimen, etj.
Në përputhje me Ligjin për amnisti për ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017, amnistia nuk ka të bëjë me organizatorët, personat që kanë ushtruar dhunë fizike, të cilët kanë mbajtur armë, si dhe personat zyrtarë që i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare.
Mendim pozitiv lidhur me kërkesat për amnisti, morën pesë deputetët – Mukoski, Arnaudov, Vasilevski, Tarçullovski dhe Dimovski, organizatorët e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” Bogdan Ilievski, Vllado Jovanovski dhe Boris Damovski, të punësuarit në Kabinetin e kryeparlamentarit të atëhershëm, Ivan Cvetanovski dhe Elena Docevska-Bozhinovska, vëllezërit Mlladenovski, të cilët të parët shpalosën detaje për organizimin e së enjtes së përgjakshme dhe Zaharij Simovski, Ilija Sllavevski dhe Mitre Pitropovski nga shoqatat patriotike.
Këshilli gjyqësor në Gjykatën Penale në Shkup, i kryesuar nga gjykatësja Dobrilla Kacarska më 15 mars u shqiptoi dënim të përgjithshëm me burg prej 211 viteve 16 të akuzuarve për dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit 2017, ndërsa Igor Durllovskin e liroi nga aktakuza.
Mitko Çavkov mori dënimin më të lartë prej 18 viteve, Mitko Peshov 15 vite, Dushko Llazarov 15 vite, Goran Gjoshevski – Levi – 15 vite, Oliver Popovski – 13 vite, Oliver Radullov – 10 vite, Munir Pepiq – 15 vite, Abdulfeta Alimi – shtatë vite, Mlladen Dodevski – 12 vite, Jane Çento – 15 vite, Goran Angellovski – 12 vite, Igor Jug – 12, Vllatko Trajkovski – 15 vite, Vilijam Mihajllovski – 14 vite, Nikollo Mitrovski – Koljo -15 vite dhe Aleksandar Vasilevski – tetë vite.
Dhunuesit në burg, organizatorët në liri
Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit përmes kumtesës në shkurt të këtij viti informon se nën hetim janë pesë persona të dyshuar se janë organizatorë të ngjarjeve të 27 prillit. Ata ngarkohen se kanë kryer vepër penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”.
Nga PTHP-ja informojnë se të dhënat e procedurës para-hetuese kanë bërë të ditur se të dyshuarit në fillim të vitit 2017 kanë përgatitur dhe realizuar plan me qëllim që të pamundësojnë dorëzim-pranimin e qetë të pushtetit. Për këtë qëllim, i kanë organizuar dhe mbështetur materialisht protestat masive, fillimisht para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, e më pas protestat e lëvizjes “Për Maqedoni të përbashkët” që kulmuan me hyrjen e dhunshme në Kuvend më 27 prill.
“Të dyshuarit si organizatorë e kanë përfshirë gjithë strukturën partiake dhe mjetet materiale për arritjen e qëllimit dhe kanë mundësuar ulje të vazhdueshme të numrit të nëpunësve policor për sigurimin e protestave. Me qëllim që ta cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë, ditën kritike kanë organizuar hyrje të papenguar të protestuesve në dhomën përfaqësuese, kanë përfshirë shoqata patriotike dhe kanë angazhuar persona për ushtrimin e dhunës. Njëherësh nga selia e partisë politike në vazhdimësi e kanë mobilizuar anëtarësinë e partisë nga Shkupi dhe qytetet tjera. Në të njëjtën kohë, njëri nga të dyshuarit me makinë, në pronësi të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, ka sjellë armë dhe jelekë antiplumb para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë që kanë qenë të dedikuar për persona që protestojnë dhe kanë përvojë në përdorimin e armëve. Me këto aktivitete të dyshuarit kanë shkaktuar ndjenjën e pasigurisë, rrezikimit dhe frikës te qytetarët”, informojnë nga PTHP-ja.