Interi dhe Milani janë duke zhvilluar një luftë të ashpër për titull në Serie-A në këtë edicion, por jo vetëm në aspektin sportiv.
Rivaliteti i këtyre dy rivalëve lokal shkon përtej fushës dhe rezultateve në të.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Interi është i mërzitur me ankesat e Milanit për gjyqtarët dhe ka vendosur të përdorë një qasje tjetër me mediat.
“Derby della Madonnina” i javës së kaluar përfundoi në polemika me Milanin që ankohej për një gol të anuluar në pjesën e dytë nga Benaccer për pozicion jashtë loje. Siç thekson mediumi në fjalë, kuqezinjtë kanë qenë shpesh kritikë ndaj gjyqtarëve këtë sezon, ndërsa Interi ka adoptuar një qasje më ndryshe.
Sipas raportit, Interi është i mërzitur me protestat e Milanit dhe po përpiqet të përdorë një metodë më të butë, veçanërisht gjatë intervistave para dhe pas ndeshjes. Simone Inzaghi mbrojti zyrtarët e ndeshjes javën e kaluar dhe Beppe Marotta nuk është ankuar kurrë publikisht për gjyqtarët.
Pioli gjithashtu u ankua pse lojërat e këtyre dy ekipeve nuk po zhvillohen në të njëjtën kohë dhe Inzaghi u kthye kundër trajnerit të kuqezinjve, duke thënë se situata është e njohur për një kohë të gjatë dhe se duhet të respektohen të drejtat televizive.
Vetëm dy pikë ndajnë Milanin dhe Interin në tabelën e Serisë A, por “Nerazzurrët” mund të ngjiten në vendin e parë të mërkurën nëse fitojnë ndeshjen e tyre të mbetur kundër Bolonjës.