Milani ka konfirmuar zyrtarisht largimin Stefano Piolit, duke i dhënë fund periudhës së tij pesëvjeçare në skuadër. Trajneri 58-vjeçar italian mori drejtimin e kuqezinjve në tetor 2019, pas ecurisë së shkurtër dhe zhgënjyese nën drejtimin e Marco Giampaolos, i cili humbi katër nga shtatë ndeshjet e tij të para në krye të klubit.
Pioli ndihmoi të rivendoste njëfarë stabiliteti te Milani dhe i udhëhoqi ata drejt Scudetto-s së tyre të parë në një dekadë në sezonin 2021-22, duke marrë më të mirën nga lojtarët si Rafael Leao, Theo Hernandez dhe Fikayo Tomori. Ai gjithashtu e çoi klubin në gjysmëfinalen e Champions League në sezonin 2022-23.
Siç bëhet e ditur në një deklaratë, Milani dhe Pioli janë ndarë zyrtarisht, me trajnerin që largohet nga posti pas ndeshjes së fundit të sezonit kundër Salernitanas më 25 maj.
“AC Milan dhe Stefano Pioli njoftojnë se trajneri do të largohet pas përfundimit të sezonit aktual, pasi ka qenë në krye të ekipit të parë që nga tetori 2019. AC Milan falënderon nga zemra Stefano Pioli dhe gjithë stafin e tij për drejtimin e ekipit të parë gjatë pesë viteve të fundit, duke siguruar një titull të paharrueshëm të ligës dhe duke rivendosur praninë e vazhdueshme të AC Milan në kompeticionin më të lartë evropian”, thuhet në deklaratën zyrtare të lëshaur nga Milani.