Zvicra ka regjistruar një nga muajt maj më të nxehtë në historinë moderne, ndërsa temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve po shkaktojnë shqetësime për thatësirë të theksuar në disa rajone të vendit.
Sipas shërbimit meteorologjik shtetëror MeteoSwiss, maji i vitit 2026 pritet të renditet si maji i katërt më i ngrohtë që nga fillimi i matjeve klimatike në vitin 1864. Temperaturat mesatare kanë qenë rreth 1.8 gradë Celsius mbi normalen sezonale.
Në qytetin e Sion, termometri ka arritur deri në 34.2 gradë Celsius, duke sjellë ditë tipike verore shumë më herët se zakonisht. Meteorologët paralajmërojnë se reshjet e pakta gjatë muajve të fundit nuk kanë arritur të kompensojnë deficitin e madh të ujit që vazhdon që nga marsi.
Sipas raportimeve, në disa zona të Zvicrës ka rënë vetëm 40 për qind e reshjeve normale për muajin maj, ndërsa në nivel kombëtar reshjet kanë arritur vetëm 56 për qind të mesatares historike. Kjo situatë po e afron pranverën e këtij viti me periudhat më të thata të regjistruara ndonjëherë në vend.
Ekspertët e klimës theksojnë se kushtet aktuale rikujtojnë valët historike të thatësisë të viteve 1944 dhe 1976, duke shtuar shqetësimet për ndikimin e ndryshimeve klimatike në Evropë. (Euronews Albania)
