Zvicra ka siguruar një vend në çerekfinalen e Kupës së Botës pas një drame të vërtetë nga pika e bardhë, ku mposhti Kolumbinë me rezultatin 4:3. Koha e rregullt dhe vazhdimet e ndeshjes së zhvilluar të martën mbrëma nuk ofruan gola dhe as shumë spektakël në fushë, duke bërë që gjithçka të vendosej në serinë e penalltive, e cila dhuroi emocione të jashtëzakonshme për tifozët.
Seria e gjuajtjeve nisi me saktësi nga kolumbianët, por kapiteni Granit Xhaka u përgjigj menjëherë duke realizuar me siguri. Gjerat u ndezën në serinë e dytë kur Davinson Sanchez i Kolumbisë goditi traversën, por helvetikët gabuan në serinë e tretë përmes Manuel Akanjit, i cili e dërgoi topin lart mbi portë. Heroi i mbrëmjes doli të jetë portieri Gregor Kobel, i cili në serinë e katërt ndali gjuajtjen e Cucho Hernandezit, duke shënuar edhe momentin vendimtar të kësaj përballjeje. Më pas, Cedric Itten, Luis Diaz dhe në fund Ruben Vargas u treguan të saktë, me këtë të fundit që nisi festën e madhe të zviceranëve.
Ky kualifikim mban një peshë të jashtëzakonshme historike, pasi Zvicra nuk kishte prekur fazën çerekfinale të një Botërori që nga viti i largët 1954. Suksesi i madh mban vulën e Granit Xhakës, i cili po vazhdon të shkruajë histori me fanellën helvetike, ndërsa në këtë arritje kontribuoi edhe Ardon Jashari, i cili luajti gjatë pjesës së parë. Në raundin tjetër, Zvicra do të ketë një punë edhe më të vështirë, ku do të përballet me Argjentinën për një vend në gjysmëfinale./E.A/
