UBT News

Zvicra mposht Kanadanë dhe kalon si lidere e grupit, shkëlqen Manzambi e Xhaka

Zvicra e ka mbyllur me sukses të plotë fazën e grupeve në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Kanadanë me rezultat 2-1. Me këtë triumf, helvetikët kanë siguruar vendin e parë në grup me shtatë pikë, ndërsa Kanadaja, pavarësisht humbjes, kalon tutje në fazën e eliminimit direkt si e dyta me katër pikë.

Skuadra e Murat Yakinit e dominoi pjesën më të madhe të takimit, por golat erdhën vetëm në pjesën e dytë. Menjëherë në minutën e 46-të, Johan Manzambi shërbeu bukur për Ruben Vargas, i cili realizoi për 1-0 me një goditje të saktë që u ndihmua edhe nga shtylla. Zvicra nuk u ndal dhe në minutën e 57-të dyfishoi epërsinë, kur Breel Embolo asistoi për Manzambin, i cili këtë herë finalizoi vetë me qetësi për 2-0.

Kanada, nën drejtimin e Jesse Marsch, u rikthye në lojë në minutën e 76-të. Nathan Saliba dërgoi një top të saktë në zonë, ndërsa Promise David shënoi për 2-1, duke ndezur emocionet e minutave të fundit. Kanadezët patën madje një mundësi të artë në kohën shtesë për të barazuar, kur pas një krosimi që kaloi portierin Gregor Kobel, Derek Cornelius u gjend përballë portës së zbrazët, por çuditërisht e dërgoi topin jashtë.

Një nga figurat kryesore të ndeshjes padyshim ishte Johan Manzambi me një gol dhe një asistim. Një paraqitje mjaft solide në mesfushë zhvilloi edhe kapiteni Granit Xhaka, i cili kontrolloi tërësisht ritmin e lojës dhe organizoi aksionet e zviceranëve. Pas këtij rezultati, të dyja kombëtaret vazhdojnë rrugëtimin e tyre në fazën e eliminimit direkt të Botërorit. /E.A/

 

Exit mobile version