Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e së dielës një sipërfaqe toke në fshatin Malasen të Bashkisë Cërrik, në Shqipëri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Si pasojë e flakëve janë djegur rreth 2 hektarë tokë dhe afërsisht 250 rrënjë ullinj. Zjarri rrezikoi seriozisht disa banesa pranë zonës, si dhe depozitën kryesore të ujit që furnizon qytetin e Cërrikut.
Për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit u angazhuan tre mjete zjarrfikëse dhe 11 efektivë të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), të cilët bënë të mundur shmangien e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Sipas të dhënave të para hetimore nga Policia e Shtetit në Shqipëri, dyshohet se shkak për shpërthimin e zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike në linjën e energjisë, ndërsa autoritetet po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Euronews/
