UBT News

Zjarr i madh në bregdetin e Kroacisë: Dëme të mëdha, evakuime nga deti dhe dhjetëra të lënduar në Omish

A general view of a wildfire near Omis, southern Croatia early Friday, Aug. 14, 2026. (AP Photo/Jakov Prkic)

Një zjarr masiv që shpërtheu në Lokva Rogoznicë është përhapur me shpejtësi gjatë natës në drejtim të qytetit të Omishit në Kroaci, duke rrezikuar drejtpërdrejt zonat e banuara dhe duke u afruar pranë qendrës së qytetit.

Situata ka qenë mjaft dramatike, me shtëpi e automjete të përfshira nga flakët, si dhe shpërthime të njëpasnjëshme të bombolave të gazit nëpër objekte të djegura.

Si pasojë e rrezikut të lartë, një pjesë e banorëve vendas dhe turistëve janë evakuuar me urgjencë. Komuna ka hapur palestrën sportive si strehimore emergjente, ku gjatë natës u sistemuan rreth 1,000 persona. Ndërkohë, marina ushtarake kroate ka angazhuar një anije në zonë për të mundësuar evakuimin e qytetarëve nga deti.

Sipas të dhënave shëndetësore, rreth 19 persona kanë marrë ndihmë mjekësore nga ekipet e urgjencës. Guvernatori i qarkut, Bllazhenko Boban, konfirmoi se dy prej tyre kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë transferuar për trajtim të specializuar në spitalin e Splitit.

Kreu i shërbimit të zjarrfikësve, Sllavko Tucakoviq, e përshkroi situatën si jashtëzakonisht të ndërlikuar. Gjithsej 157 zjarrfikës me 44 automjete kanë luftuar me flakët përgjatë gjithë natës, ndërsa në ndihmë janë dërguar përforcime edhe nga qarqet e tjera të Kroacisë. Si masë sigurie, një pjesë e rrugës kryesore bregdetare në këtë rajon është bllokuar për qarkullim.

Moti i nxehtë, temperaturat e larta dhe thatësira e vazhdueshme kanë krijuar kushte të favorshme për përhapjen e shpejtë të zjarreve jo vetëm në Kroaci e Ballkan, por në të gjithë Evropën Jugore gjatë këtij sezoni veror.

 

Exit mobile version