UBT News

Zgjedhjet në Tiranë, Rama: Manastirliu ka mbështetjen e plotë të PS, rivalët garojnë për të humbur

Kryetari i Partisë Socialiste, njëherazi kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar një takim me deputetë dhe ish-deputetë të qarkut Tiranë si dhe ministrat e kabinetit. Takimi, i cili u zhvillua në selinë e PS, kishte në fokus përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, pas vendimit të marrë të martën pasdite nga këshilli bashkiak i Tiranës, që propozon shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj për mungesë në detyrë të paktën për tre muaj.

Në takim ishte dhe deputetja Ogerta Manastirliu, e cila është propozuar nga Rama si kandidate për bashkinë e Tiranës nga radhët e PS.

Në fjalën e tij, kryesocialisti Rama nënvizon se ka ardhur momenti të adresohet boshllëku i lënë në Tiranë nga arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Tema jonë, si palë përgjegjëse për mbarëvajtjen e punëve në këtë vend është që të adresojmë pa humbur kohë boshllëkun përditë e më të dëmshëm në krye të bashkisë së Tiranës”, tha Rama.

“Tirana nuk mund të gdhihet dhe të ngryset pafundësisht si një trup pa kokë dhe qytetarët e Tiranës nuk mund të bashkëjetojnë pafundësisht me një bashki kokëkëputur, e cila duke mos pasur një të zgjedhur në krye të saj nuk mund ta ketë as legjitimitetin demokratik për t’i udhëhequr drejt të ardhmes”, shtoi Rama.

Ai foli edhe për mbështetjën e PS nda jdeputetës Ogerta Manastirliu.

“Aq e fortë është mbështetja e PS ndaj Ogertës, saqë është krejt pa interes se cilët do të jenë kandidatët e saj rivalë të cilët do të hyjnë në garë të humbur, por do të dalin nga gara edhe më të humbur. Edhe në anketimin që kemi bërë enkas është shumë e qartë që shumica e qytetarëve nuk e kanë gjëkundi mendjen tek ndonjë rival i PS-së, po e kanë mendjen me plot të drejtë hallin tek problematikat që kërkojnë adresim dhe zgjidhje nga bashkia e Tiranës”, u shpreh Rama.

Më herët, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim edhe me nënkryetarët e bashkisë së kryeqytetit, të cilët do të menaxhojnë bashkinë deri në zgjedhjet e ardhshme./S.K/KP/

Exit mobile version