UBT News

Zëri i Kabasë në UBT: Në kërkim të trashëgimisë së humbur shqiptare

Në një mjedis ku emocionet kulturore ziheshin me ngrohtësi dhe pasion, Universiteti për Biznes dhe Teknologjis u shndërrua në arenën e një spektakli intelektual më 29 mars. UBT mori udhëheqjen për të sjellë një ngjarje të jashtëzakonshme: tryezën shkencore me titullin “Kabaja – Simbol dhe Identitet i Muzikës Tradicionale Shqiptare”.

Në krahinat e thella të Shqipërisë, një instrument muzikor ka qenë simbol i përjetshëm i identitetit dhe trashëgimisë kulturore: kabaja. E njohur për lidhjen e ngushtë me historinë dhe traditën e vendit, kabaja ka qenë më shumë se vetëm një instrument, ajo është bërë një simbol i muzikës tradicionale shqiptare, duke ndikuar në identitetin kulturor të vendit. Nëpërmjet tingujve të saj unikë, kabaja ka përjetuar një udhëtim të gjatë nëpër kohë dhe hapësirë. Nga malësorët nëpër qytete e fshatra, zëri i kabasë ka shënuar ngjarje të rëndësishme në historinë dhe jetën e përditshme të shqiptarëve. Në të gjetën zërin e tyre artistë të shquar si Remzi Lela, Mulla Merkoja, Selim Leskoviku dhe shumë të tjerë, të cilët me virtuozitetin e tyre e kanë shpërndarë këtë trashëgimi nëpër breza.

Në këtë udhë krenarie të muzikës shqiptare, një tjetër emër i rëndësishëm është Fatos Qerimaj, që në tryezën shkenoce që u mbajt, artisti i njohur demonstroi virtuozitetin e tij me kabanë. Ai përcolli jo vetëm zërin e instrumentit, por edhe historinë e thellë të sazeve shqiptare.

“Etnologjia evropiane e perfeksionimit të instrumenteve në lindjen dhe evoluimin e sazeve ka ushtruar një rol të jashtëzakonshëm. Ishte futja në gjysmën e dytë të shekullit 19-të e instumenteve të temperuar si klarineta, violina, fizamonika, lahuta, shpikja e mjeteve të regjistrimit si dhe gramafoni. Këto tri drejtime të modernitetit tekonologjik instrumental, mjetet e regjistrimit, sollën hapin e madh të kalimit nga instrumentët e patemperuar në një bashkëjetesë me instrumentët e temperuar të ardhur nga punishtet dhe produktet e Evropës”, deklaroi Aleksandër Peçi – mjeshtër i kabasë.

Në historinë e muzikës shqiptare, emrat e disa artistëve ngjiten në lartësinë e legjendës. Ndër ta, një emër që ndriçon me shkëlqimin e vet është ai i Remzi Lelës, i njohur ndryshe si Çobani. Nëpërmjet shërbimit të tij të pazëvendësueshëm në botën e klarinetës, ai jo vetëm ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për muzikën shqiptare, por edhe ka ndërtuar një urë mes brezave dhe krahinave të vendit tonë.

“Cobani ishte një klarinetist që i ka studiuar të gjitha kabatë që kur ka qenë i ri, për të cilën e ka ndihmuar babai jonë që edhe ai ka qenë muzikantë. Por, Remziu mbase i ka mësuar shumë mirë kabatë e të gjitha trevave. Ai fillonte dhe lulëzonte mbi këto kaba, fuste shpirtin e tij por më interesantja dhe më e bukura ishte që Remziu- Çobani në atë krahinë që ishte për sa i përket asaj lloj kabaje ai nuk devijonte dhe improvizonte gjithmonë brenda karakterit duke njohur të gjitha zonat e Shqipërisë”, deklaroi artisti Fatmir Lela.

Studiues të kësaj teme na udhëheqën edhe në udhëtimin e shkurtër, por të pasur në historinë e kabasë në Maqedoninë e Veriut. Ata përshkruan rrënjët e thella të këtij instrumenti në kulturën e toskëve, banorëve vendas të këtij rajoni. Ndërkaq, theksohet edhe ndikimi i madh që kabaja ka pasur në kulturën dhe jetën e përditshme të komunitetit shqiptar në këtë territor.

“Historiku i kabasë shqiptare në Maqedoninë e Veriut është një rrugëtim i gjatë dhe i pasur, rrënjët e thella ndodhen në kulturën e toskëve që janë banorë vendas të pjesës jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut, pra bregu i djathtë i Drinit të Zi, Strugë, Ohër, Prespë dhe Manastir dhe që flasin në variantin lindor të toskërishtes. Kjo formë muzikore ka qenë e përhapur gjerësisht në këtë rajon dhe ka pasur ndikim të madh në kulturën dhe jetën e përditshme të komunitetit shqiptar. Sipas fjalorit të sotëm të gjuhës shqipe Kabaja është pjesë muzikore popullore e shtruar, që luhet zakonisht me gërrnetë ose me violinë”, deklaroi studiuesi Bekim Ramadani.

Historia e kabasë, si një nga instrumentet më simbolike të muzikës tradicionale shqiptare, është një rrugëtim i gjatë e i pasur që ka ndikuar thellë në identitetin dhe kulturën tonë. Emrat e shquar si Remzi Lela, Mulla Merkoja, Asllan Leskoviku, dhe shumë të tjerë, janë figura që kanë udhëhequr këtë udhëtim muzikor, duke përhapur zërin dhe emocionet e kabasë nëpër krahina dhe treva të ndryshme të Shqipërisë. Përmes tyre, muzika e kabasë ka gjetur shprehjen më të lartë të trashëgimisë sonë kulturore. Kjo trashëgimi e pasur është një pjesë e thellë e identitetit tonë kombëtar dhe një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm./UBTNews/

Realizoi: Dionesa Ebibi

Exit mobile version