UBT News

Yll Hoxha ndahet me Feronikelin

Yll Hoxha nuk është më futbollist i Feronikelit, pasi që mbrojtësi i majtë kosovar i ka ndarë rrugët me klubin të cilit iu bashkua në vitin 2017, pas një periudhe të suksesshme me ekipin nga Drenasi.

Feronikeli i ka ndarë rrugët me Yll Hoxhën. Mbrojtësi i majtë kosovar është larguar përfundimisht prej klubit nga Drenasi pas tri vjetësh e gjysmë sa i kaloi aty. Futbollisti këmbëshpejtë dhe i fuqishëm largohet nga “Nikli” pas një aventure të suksesshme, pasi e fitoi edhe titullin e kampionit. Klubi i Superligës e ka falënderuar ish-futbollistin e Prishtinës për kontributin e dhënë, shkruan Gazeta Express.

Faleminderit Yll Hoxha! Yll Hoxha ka përfunduar avanturën e tij me FC Feronikelin. Mbrojtësi i majtë që erdhi në skuadër në afatin kalimtar të janarit, të vitit 2017, djerësiti plot 170 herë fanellën e Feronikelit. I transferuar nga Kategoria Superiore e Shqipërisë, konkretisht nga Vllaznia, Hoxha fitoi gjithçka që mund të fitohet në Kosovë me FC Feronikelin, duke u mbajtur mend për golin e tij në ndeshjen e fundit të sezonit 2018/19, gol që shpalli Niklin kampion të Kosovës”, ka shkruar klubi nga “Rexhep Rexhepi” në rrjetet sociale.

Edhe vetë futbollisti i ka falënderuar të gjithë për mikpritjen dhe ngrohtësinë që ia ofruan gjatë eksperiencës të tij në klubin Feronikeli.

“Ishte kënaqësi të mbaj veshur fanellën e Feronikelit për këto katër vitet e fundit, klub për të cilin do të kem respekt gjithmonë. Dua të i falënderoj të gjithë te Feronikeli, bashkëlojtarët, trajnerët, stafin, e po ashtu edhe Tigrat e Zi, të cilët kanë qëndruar gjithmonë me ne, sezon pas sezoni. Falënderim të veçantë kam për presidentin e klubit, Naser Ramaj, që më mundësoi të jem pjesë dhe të fitoj trofe me këtë klub fantastik”, ka thënë futbollisti, i cili një kohë e pati një eksperiencë edhe në Shqipëri.

Exit mobile version