Kapiteni Granit Xhaka ka udhëhequr Zvicrën drejt fitores së parë në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Bosnjë-Hercegovinën me rezultat të thellë 4:1 në Los Angeles. Me këtë triumf, Zvicra bën një hap të madh drejt fazës nokaut, duke u ngjitur në kuotën e 4 pikëve në Grupin B, ndërsa Bosnja mbetet me vetëm një pikë.
Ndeshja u vendos në fundin e saj dramatik, ku të gjitha golat e Zvicrës u shënuan pas minutës së 74-të. Ndryshimin e madh e bënë zëvendësuesit Johan Manzambi (me dy gola) dhe Ruben Vargas, të cilët u futën në lojë në minutën e 72-të. Ndeshja u lehtësua për zviceranët edhe nga minuta e 80-të, kur Tarik Muharemoviq i Bosnjës u ndëshkua me karton të kuq pasi ndali Breel Embolon si lojtar i fundit. Për boshnjakët golin e nderit e shënoi Ermin Mahmiq në minutën e 93-të.
Vula e kësaj fitoreje erdhi nga vetë kapiteni Granit Xhaka, i cili shënoi nga penalltia në minutën e shtatë të kohës shtesë. Pas golit, Xhaka festoi me një gjest me dorë duke u kërkuar kritikëve të heshtin dhe të qetësohen.
Kohët e fundit, mesfushori ishte vënë në shënjestër të mediave zvicerane për deklaratat e tij të ashpra publike pas barazimeve me Australinë dhe Katarin, duke pretenduar se ai po krijonte një klimë “toksike” në kombëtare. Megjithatë, mediumi prestigjioz “New York Times” i vlerësoi kritikat e tij si një dëshirë të madhe për të fituar.
“Njerëzit e dinë se kush jam… Unë jam njëri që e kritikoj veten para se t’i kritikojë të tjerët. Zvicra mund të jetë krenare që ka lojtar me 148 paraqitje për këto ngjyra. Por ndoshta kjo më duhet, unë provokoj paksa. Ajo që është e rëndësishme është se ekipi është prapa meje,” deklaroi Xhaka pas ndeshjes, duke konfirmuar se fokusi i tij i vetëm mbetet suksesi në fushë. /E.A/
Foto: Associated Press
