Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka pritur sot në takim homologun e tij kosovar Glauk Konjufca.
Xhaferi në një postim në Facebook ka shprehur kënaqësitë që zotimet e tyre dhanë fryt, për çka janë tregues vizitat e delegacioneve të Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Komisionit për Çështje të Mbrojtjes dhe Sigurisë, si edhe formimi i Grupit të Bashkëpunimit në Kuvendin e Kosovës.
“Pas vizitës sime në Kosovë, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut e ratifikoi marrëveshjen për bashkëpunim në turizëm ndërmjet dy shteteve ndërsa në procedurë parlamentare janë propozim ligjet për bashkëpunim në lidhje me diasporën, për statusin e pjesëtarëve të Armatës së RMV-së dhe Forcave të Sigurisë të RK-së gjatë stacionimit të tyre të përkohshëm në territorin e të dyja shteteve dhe për partneritet në kontekst të grant marrëveshjes për ndihmë teknike”, ka thënë Xhaferi.
“Jemi fqinj, jemi vëllezër dhe mbi të gjitha, i takojmë kombit të njëjtë dhe mbështetja dhe bashkëpunimi do të jetë gjithmonë udhërrëfyesi jonë më i mirë”, ka shtuar ai.