Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, është adresuar në takimin e 10-të të kryetarëve të parlamenteve nga vendet e Evropës Juglindore për zgjerimin, i mbajtur në kryeqytetin hungarez Budapest, transmeton AA.
Kabineti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut lëshoi njoftim lidhur me adresimin e Xhaferit në Budapest.
Xhaferi në fillim të fjalimit të tij shprehu falënderime për mbajtjen tradicionale të kësaj ngjarje të nivelit më të lartë në organizim të Kuvendit kombëtar hungarez dhe presidentit Lazlo Kover. Ai theksoi se kjo është edhe një dëshmi për përpjekjet e Hungarisë gjatë dekadave të fundit për integrimin e shpejtë dhe të plotë evropian dhe euroatlantik të vendit.
“Ky është interesi ynë i përbashkët nëse merret parasysh fakti që potencohet në më shumë raste nga politikanë të lartë evropianë, përkatësisht se, nëse Unioni dëshiron stabilitet më të madh në fqinjësinë e vet, atëherë nevojitet perspektivë e besueshme evropiane për Ballkanin Perëndimor, e bazuar në sistemin e meritave. Mirëpo, doemos duhet të theksoj se ajo perspektivë rrezikon të bëhet e lodhshme dhe joatraktive për ne si vende kandidate nëse dështon dhe nuk i respekton vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian që në plan të parë e vënë prosperitetin, paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të kontinentit”, tha ai.
Xhaferi përkujtoi se para do kohe, në Republikën e Maqedonisë së Veriut ishin në vizitë senatorë francezë dhe në këtë kontekst, në bisedat me ta, ua bëri me dije situatën aktuale në terren, përkatësisht, paralelisht me përqindjen e lartë të qytetarëve që janë për hyrje në BE dhe konsensusin e palëkundur politik, kemi zhgënjim proporcionalisht të lartë, sepse çdo prolongim i ri gjashtëmujor i fillimit të negociatave, neve na i shkurton mundësitë që të përparojmë në ato negociata dhe të punojmë edhe më të motivuar në axhendën evropiane.
“Franca, si kryesuese e ardhshme e Këshillit të BE-së, padyshim do t’i mbështesë aspiratat tona, ndërkaq ne gjithsesi jemi këtu që t’u ndihmojmë për zgjerimin, jo vetëm të bëhet një nga prioritetet e kryesimit të Francës, por të bëhet realitet faktik i shndërruar në start të konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në”, theksoi Xhaferi.
Sipas tij, zgjerimi si investim gjeostrategjik sjell investime afatgjate për Unionin në shumë aspekte, përkatësisht në aspektin politik, të sigurisë dhe ekonomik.
Xhaferi theksoi se kjo paraqet mekanizëm të mirë për përparim dhe shpërblime, që sipas tij, i motivon si vende t’i zbatojmë reformat e kërkuara, rezultati përfundimtar i të cilave do të duhej të jetë fillimi i negociatave, qasja në më shumë fonde dhe më në fund anëtarësimi i plotfuqishëm në Union. “Besoj se si shtete dëshmuam se mundemi të ballafaqohemi me sfidat e procesit të integrimit dhe t’i zbatojmë me sukses reformat e kërkuara në afatet e parapara, me ç’rast vërtetuam se jemi partnerë seriozë në këtë projekt të përbashkët”, tha ai.
“Republika e Maqedonisë së Veriut ka arritur progres mbresëlënës në fushën e zbatimit të pakos së reformave kryesore, ndërkaq me nënshkrimin dhe zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dëshmuam se mundemi të shërbejmë si model për kohezionin e brendshëm, avancimin dhe kultivimin e marrëdhënieve ndëretnike. Besonim se me nënshkrimin e marrëveshjes me Bullgarinë dhe me pranimin e të gjitha propozimeve të kryesisë së BE-së të propozuara vitin e kaluar, duke përfshirë edhe propozimin nga maji 2021, do ta tejkalojmë edhe kontestin me Republikën e Bullgarisë, megjithatë, fatkeqësisht, përgjigjja nga Bullgaria është në drejtim krejtësisht të kundërt, plotësisht e ndryshon qasjen ndaj procesit, që është në kundërshtim me përpjekjet për përforcimin e besimit dhe dialogut të pandërprerë politik”, tha Xhaferi.
“Kuptohet, situata momentale komplekse në Bullgari e pamundëson dialogun tonë më aktiv, duke përfshirë edhe në nivel parlamentar, ku si kolegë deputetë do të mund të bisedonim më hapur dhe në mënyrë më fleksibile dhe të kontribuonim bashkërisht në tejkalimin e kësaj gjendjeje me gjetjen e kompromisit për çështjet e hapura”, shtoi ai.
Xhaferi tha se krahas të gjitha pengesave, vazhdojmë me procesin e reformave, për vendin, për qytetarët tanë dhe për ruajtjen e notave të larta të marra tanimë.
Ai tha se tashmë njëzet vjet jemi aktivë në kontekst të bashkëpunimit të ndërsjellë në rajonin e Evropës Juglindore dhe rezultatet e mira të gjeneruara vërtetojnë se si vende mundemi të bashkëpunojmë me sukses në rajon dhe të përjetojmë suksese të përbashkëta, që është parakusht kryesor edhe për të ardhmen tonë evropiane.
“Unë jam i bindur se diplomacia parlamentare mund të vendosë dialog që kontribuon për paqen dhe sigurinë dhe luan rol thelbësor në ballafaqimin me sfidat globale, dhe prandaj jemi aktivë në asambletë ndërkombëtare. Në Kartën për marrëdhënie të mira fqinjësore, stabilitet, siguri dhe bashkëpunim në Evropën Juglindore nga viti 2000, bashkërisht jemi obliguar të angazhohemi pa rezervë, mes tjerash, edhe për respektimin e parimeve dhe normave të Kartës së Kombeve të Bashkuara, shpresoj se këto postulate do të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe në këtë mënyrë do të kontribuojnë për përshpejtimin e procesit të eurointegrimeve”, tha Xhaferi në adresimin e tij.