Parandalimi duhet të jetë motivi i diplomacisë shumëpalëshe në çdo fushë, u shpreh ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka, gjatë takimit me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së.
Në vijim të “Javës së diskutimeve të Nivelit të Lartë”, të sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Xhaçka, dhe delegacioni shqiptar, në përbërje të të cilit ishin ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare u pritën nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, raporton TCh.
Ministrja Xhaçka theksoi se Shqipëria beson fuqimisht në rolin e diplomacisë shumëpalëshe, teksa shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit me Guterres për të avancuar prioritetet e përbashkëta gjatë mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.
“Ne si mbështetës të fortë të një arene ndërkombëtare të bazuar në rregulla, besojmë fuqimisht në rolin e diplomacisë shumëpalëshe“, theksoi Xhaçka.