Nga Brukseli, ku po zhvillohet Forumi i II-të i Zgjerimit të Bashkimit Evropian me temën “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Shqipëria po shënon progres domethënës drejt anëtarësimit në BE.
“Talentet e reja të Ballkanit Perëndimor do të sjellin vlera në tregun e përbashkët evropian. Shqipëria po bën progres domethënës drejt anëtarësimit. Në vendet e BP-së, vendet po bëjnë hapa të mëdhenj. Ky është një moment i rëndësishëm. Ne duhet ta kapim këtë mundësi. Të shfaqim të njëjtën ambicie si liderët e 30 viteve më parë, që ta kthejmë në sukses”, tha mes tjerash von der Leyen.
Ajo solli në vëmendje edhe procesin historik të zgjerimit, duke kujtuar se tre dekada më parë diskutohej për zgjerimin më të madh të unionit, kur vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore nisën rrugëtimin për t’u rikthyer në familjen evropiane.
Ndërkohë, komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, theksoi se zgjerimi është rikthyer në qendër të debatit politik dhe se rezultatet e këtij viti tejkalojnë ato të 25 viteve të fundit.
“Sot zgjerimi është sërish në një debat të gjerë se si. Kemi dhënë rezultate për zgjerimin këtë vit më shumë sesa në 25 vitet e fundit. Kemi kundërshtarë që duan të dëmtojnë kandidatët për anëtarësim. Nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, deklaroi Kos. /E.A/
