VMRO-DPMNE, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili tha se do ta shtyjë dorëheqjen deri në stabilizim të vendit.
Nga VMRO-DPMNE thonë se Zave është burim i krizave dhe problemeve në Maqedoni. Për çka nënvizojnë se largimi i tij është i domosdoshëm për të mirën vendit.
“E pamë që fjala e tij nuk ia vlente, është jo vetëm humbës por edhe mashtrues klasik. Përpjekjet e fundit për presion dhe oferta të pahijshme ndaj deputetëve që nënshkruan mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë janë vetëm një kashtë për të shpëtuar Zaevin dhe ekipin rreth tij. Këto janë lëvizje të dëshpëruara. Qytetarët i thanë qartë në zgjedhjet e fundit se janë për ndryshim dhe abuzime të tilla nuk do t’i ndihmojnë, por vetëm do të rrisin pakënaqësitë e popullit”, thuhet në reagim.
Tutje në reagim thuhet edhe se ka ardh koha që qeveria e re të merret me problemet dhe të sjellë një të ardhme të re dhe më të mirë për Maqedoninë.
“Zaev nuk mund ta mbajë peng Maqedoninë për shkak të ulëses dhe karrierës së tij politike. Ata tashmë kanë përfunduar. Popullit e ka të qartë si drita e diellit se me Zaev dhe LSDM në pushtet do të vazhdojnë të zhyten në krizë, ekonomike, shëndetësore, energjetike. Motivi i atyre që kanë nënshkruar nismën është përmbushja e vullnetit të qytetarëve. Iku koha e gënjeshtrës, e frikësimit dhe e presionit të mashtruesit Zaev. Po vjen koha që qeveria e re të merret me problemet dhe të sjellë një të ardhme të re dhe më të mirë për Maqedoninë”, përfundon reagimi i VMRO-DPMNE./AlsatM/