Katër persona dyshohet se kanë humbur jetën dhe një tjetër është lënduar rëndë si pasojë e një aksidenti të rëndë në një kantier ndërtimi në Vienna.
Tre nga katër viktimat janë nga Kosova.
Sipas raportimeve të mediave austriake, ngjarja ka ndodhur të martën pasdite në lagjen Alsergrund, rreth orës 14:30, kur një pjesë e skelave bashkë me kallëpet e betonit janë shembur gjatë punimeve.
Siç raporton Der Standard, fillimisht ishte raportuar për një person të plagosur rëndë, ndërsa më vonë u konfirmua se katër persona kishin humbur jetën nga ky aksident.
Sipas shërbimeve emergjente, një punëtor 45-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe shtyllën kurrizore, si dhe fraktura në duar.
Zëdhënësi i zjarrfikësve, Martin Hofbauer, ka deklaruar se e gjithë konstruksioni është shembur, duke zënë poshtë pesë persona që ndodheshin mbi të në momentin e aksidentit.
Sipas Hofbauer, në këtë aksident u shemb e gjithë konstruksioni bashkë me pesë personat që ndodheshin mbi të.
Operacioni i shpëtimit është zhvilluar në kushte të vështira, pasi ekipet emergjente dhe punëtorët e tjerë janë detyruar në disa raste të largojnë materialet edhe me duar për të arritur te të lënduarit.
Aksidenti ndodhi gjatë punimeve të betonimit në kuadër të një projekti për ndërtimin e një kati shtesë në një objekt banimi, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e ngjarjes.
