Filarmonia Klasike e Bonit në Gjermani ka zgjedhur violinisten e famshme me origjinë shqiptare, Ervis Gega-Dodi si drejtuese të përgjithshme të saj. Bordi drejtues i Filarmonisë e votoi unanimisht.
Lajmi u publikua zyrtarisht dhe në mediat gjermane.
Violinistja Gega-Dodi zgjidhet në këtë mënyrë pasardhëse në post e dirigjentit të njohur gjerman, Heribert Beissel, i cili e themeloi Filarmoninë Klasike të Bonit dhe e drejtoi atë vetë, mbi 50 vjet me radhë.
Ishte porosia e fundit e dirigjentit Beissel, para se të ndërronte jetë pak javë më parë, që Gega-Dodi të marrë përsipër drejtimin e Filarmonisë Klasike të Bonit.
“Sepse ajo ka aftësitë muzikore dhe përvojën…Përveç kësaj, emri i saj është shumë i njohur në qarqet artistike, me të cilat ajo është e lidhur shumë mirë ”, shkruhej ndër të tjera në amanetin e prof. Beissel.
Filarmonia Klasike e Bonit performon në sallat më të famshme muzikore të Gjermanisë, midis të tjerash me shumë sukses me serinë e repertorit të Klasikës Vjeneze (Wiener Klassik).
“Ne do ta vazhdojmë serinë e Klasikës Vjeneze. Dhe do ta përdorim skenën për artistë me famë ndërkombëtare, si dhe si trampolinë për dirigjentë të rinj, të talentuar”, u shpreh Ervis Gega-Dodi pas marrjes së drejtimit të Filarmonisë Klasike të Bonit.
Me veprimtarinë 18 vjeçare si mësimdhënëse ndër të tjera në Universitetin-Johannes Gutenberg, në Konservatorin e Muzikës Peter Cornelius, në Akademinë më të madhe të Muzikës së Dhomës Villa Musica, në kurse të suksesshme masteri në Gjermani dhe në Itali prof. Ervis Gega-Dodi ka bërë një emër të shquar dhe të vlerësuar në komunitetin e docentëve të muzikës në Europë.
Universiteti-Johannes Gutenberg Mainz në Gjermani e ka nderuar në 2018-ën violinisten dhe docenten Ervis Gega-Dodi me çmimin më të lartë për mësimdhënësit e muzikës.
Një numër i madh studentësh universitarë të saj fitojnë prej vitesh çmime të njohura kombëtare në Gjermani dhe në botë.
Violinistja Ervis Gega-Dodi është fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare, ndër ta e Çmimit Ndërkombëtar “Yfrah Neaman”. Ajo ka veprimtari koncertale në të gjithë botën që nga Londra e Berlini, në Amerikën e Jugut dhe Afrikën e Jugut. Ervis Gega -Dodi është Qytetare Nderi e Fierit, qyteti ku lindi dhe kaloi fëmijërinë.