UBT News

Vdiq ylli i YouTube-t, Jamal Edwards

Sipërmarrësi britanik dhe ylli i rrjetit social, YouTube, Jamal Edwards ka vdekur në moshën 31-vjeçare, konfirmoi kompania e tij për BBC. Ai ishte themeluesi i SBTV, një platformë urbane e muzikës e cila i ndihmoi artistët sikurse Dave, Ed Sheeran dhe Skepta të nisin karrierën.

Një figurë pioniere në muzikën rep britanike, ai u bë gjithashtu një ambasador i “Prince’s Trust”, një shoqatë bamirësie për të rinjtë e drejtuar nga Princi i Uellsit, i cili ndihmon të rinjtë të krijojnë kompanitë e tyre.

Ai mori pjesë në ceremoninë “Brit Awards” në fillim të këtij muaji dhe u kuptua se kishte performuar si DJ në një koncert në veri të Londrës të shtunën mbrëma. Nuk janë dhënë detaje për vdekjen e tij, përveçse u bë e ditur se ai ka vdekur mëngjesin e së dielës.

Në vitin 2011, ai u shfaq në një reklamë për Google Chrome. Emri i tij u kërkua më shumë se një milion herë.

Edwards e përdori mirë famën e tij, duke rritur ndërgjegjësimin për shëndetin mendor, duke financuar qendrat rinore dhe duke inkurajuar sipërmarrësit e tjerë të rinj./UBTNews/

Exit mobile version