Në moshën 31-vjeçare ka ndërruar jetë kornisti i Filharmonisë së Kosovës, Bledar Bujupi. Filharmonia e Kosovës përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se Bujupi vdiq dje (22 gusht 2022) papritmas.
“Ndarja e parakohshme e kolegut Bledar Bujupi është humbje e madhe jo vetëm për Filharmoninë e Kosovës, por edhe për skenën e muzikës klasike në vend. Për detaje rreth mbledhjes komemorative në nderim të kornistit Bledar Bujupi, do të njoftoheni me kohë”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Filharmonisë.
Bujupi ishte kornist i parë i Orkestrës. Krahas aktivitetit me orkestrën filharmonike, Bujupi ishte edhe anëtar i Orkestrës Frymore të FSK-së dhe anëtar i kuintetit të tunxhit “Prishtina Brass”.
Ka realizuar koncerte recitale dhe ishte pjesëmarrës në formacione orkestrale si “Albanian Youth Orchestra” dhe “Kosovo Youth Orchestra”
Edhe ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj ka shprehur ngushëllime për humbjen e efektivit të kësaj force.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin që Bledar Bujupi, ushtar i rezervës së Forcës së Sigurisë së Kosovës ka ndërruar jetë. Në këto çaste të dhimbjes, ju shprehim ngushëllime familjes Bujupi dhe të gjithë të afërmeve të të ndjerit. Humbjet e tilla janë të rënda për familjen, shoqërinë dhe institucionin tonë, këto momente mund t’i përballojmë vetëm duke qëndruar pranë njëri-tjetrit”, ka shkruar Mehaj.