Krimineli i luftës Ratko Mlladiq, i cili shërbeu si komandant i përgjithshëm i të ashtuquajturës Ushtri e Republikës Srpska, ka vdekur sot në moshën 84-vjeçare në burgun e Hagës, sipas njoftimeve nga mediat serbe.
Mlladiq u dënua përfundimisht në qershor të vitit 2021 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë me burgim të përjetshëm. Ai u shpall fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës, të cilat përfshinin gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen e popullsisë civile, shfarosjen, dëbimin, terrorizimin e Sarajevës si dhe marrjen peng të pjesëtarëve të OKB-së.
I njohur në mbarë botën me pseudonimin “Kasapi i Bosnjës”, ai mban përgjegjësinë direkte për masakrimin e më shumë se 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë gjatë vitit 1995.
Vitin e kaluar, Tribunali i OKB-së kishte refuzuar kërkesën e tij për lirim urgjent drejt Serbisë me arsyetimin se gjendja e tij shëndetësore ishte e qëndrueshme dhe po trajtohej sipas standardeve të duhura mjekësore brenda burgut në Hagë. /E.A/
