UBT News

​Vdes gazetari i njohur Italian Emilio Fede

Gazetari i njohur italian, ish-drejtor i Tg4, Emilio Fede ka vdekur në moshën 94-vjeçare. Lajmin e konfirmoi vajza e tij, Sveva për gazetën italiane ”Corriere della Sera” pasi që gjendja e tij ishte përkeqësuar ditët e fundit.

Fede ishte një nga figurat ikonike të televizionit italian, një karrierë që filloi në RAI në vitet 1960, si korrespondent lufte, vazhdoi si drejtor i Tg1, dhe më pas me ardhjen e tij në ”Fininvest”, ku Silvio Berlusconi e emëroi për të drejtuar Tg4.

Për 20 vjet, nga 1992 deri në 2012, edicioni i tij i lajmeve ishte zëri më hapur pro Berlusconit në ekranin televiziv, i dashur dhe i urryer, ndonjëherë karikaturizuar, por padyshim i dallueshëm për tonin e tij gjithmonë të tepruar.

“Jam redaktori më i kritikuar, por edhe më i ndjekuri”, pretendonte ai.

Me editorialet e tij, Fede mishëronte një epokë televizive dhe një stil unik të gazetarisë.

Karriera e tij profesionale përfundoi papritur në 2012, kur ai u largua nga ”Mediaset”, pas përfshirjes së tij në hetimin e skandalit ”Ruby”.

Periudha e fundit e jetës së tij u ndikua gjithashtu thellë nga humbja e bashkëshortes, Diana De Feo, gazetare dhe më pas deputete e ”Forza Italia”, me të cilën u martua në 1963.

Ajo vdiq në qershor 2021, dhe vdekjen e saj ai vetë e quajti si dhimbjen e tij më të madhe.

/S.K/KP/Libero Magazine/

Exit mobile version