UBT News

Vazhdojnë gërmimet në Istog, zbulohen struktura banimi të vitit 1900 p.e.s.

Përmes një njoftimi, ministrja e Kulturës dhe Turizimit, Saranda Bogujevci, ka bërë të ditur se në lokalitetin prehistorik të Pepajt në Lubozhdë të Istogut po vazhdojnë gërmimet e rëndësishme arkeologjike, të cilat po sjellin në dritë rezultate të mëdha shkencore për historinë e hershme të Kosovës. Sipas saj, ky projekt po realizohet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe Universitetit të Miçiganit.

Ministrja Bogujevci ka sqaruar se hulumtimet e fundit kanë dëshmuar ekzistencën e një vendbanimi të Epokës së Bronzit të Hershëm. Ndër gjetjet më me vlerë janë disa struktura banimi që datojnë rreth vitit 1900 para erës sonë, të cilat pritet të ndihmojnë studiuesit për të kuptuar më nga afër jetën dhe organizimin shoqëror në këtë zonë mijëra vjet më parë.

Sipas Bogujevcit ky projekt ka edhe një karakter të rëndësishëm akademik, pasi në të janë përfshirë studiues dhe studentë si nga vendi, ashtu edhe nga arena ndërkombëtare. Në përfundim, Bogujevci ka theksuar se arkeologjia në Kosovë po vazhdon të sjellë dëshmi të reja dhe të rëndësishme për historinë tonë të hershme. /E.A/

 

Exit mobile version