UBT News

Uzuni dhe Doka: Kemi grup të mirë, japim maksimumin ndaj Polonisë

Kombëtarja shqiptare po vijon përgatitjet për sfidën që do të zhvillojë ndaj Polonisë më 2 shtator, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2022, ndërsa ditën e hënë është kompletuar i gjithë grupi i lojtarëve.

Këtë të martë, në një konferencë për mediat kanë dalë dy futbollistët e ekipit, Myrto Uzuni dhe Albi Doka, të cilët kanë folur për sfidën që i pret ditën e enjte. Sulmuesi kuqezi, Uzuni tregoi se ndihet i lumtur që është pjesë e ekipit Kombëtar, ndërsa theksoi se skuadra do të japë maksimumin në këtë ndeshje të parë ndaj Polonisë, pasi asnjë kundërshtar nuk është i pakalueshëm.

Atmosfera në skuadër – Të gjithë e dimë rëndësinë e këtyre ndeshjeve. Jemi të fokusuar 100% te Polonia, nuk kemi menduar për dy ndeshjet e tjera. Do të japim maksimumin, pasi futbolli na ka treguar se asnjë kundërshtar nuk është i pamundur.

Sulmi në formë? – Normalisht që kur sulmuesit shënojnë, ekipi ka më shumë besim. Por nuk varet vetëm nga sulmuesit, varet nga të gjitha repartet e ekipit. Duhet të japim maksimumin, duhet të jemi të gjithë së bashku dhe për një qëllim të gjithë, jo kush shënon e kush jo.

Pozicioni në fushë – Unë do të thoja që jam shumë i lumtur që jam pjesë e ekipit Kombëtar, pasi është një ndjenjë e veçantë të përfaqësosh Kombëtaren, kjo është e rëndësishme për mua. Unë ndihem mirë nëse luaj si në krah, si pas sulmuesit, ose sulmues. Këtë e vendos trajneri.

Kundërshtari polak? – Flasim për lojtarë të nivelit botëror. Polonia ka një ekip shumë të fortë, ka dhe një grup shumë të mirë. Normalisht meritojnë respekt, por asgjë nuk është e pamundur. Mendoj se mund të luajmë me çdo kundërshtar si të barabartë.

Grupi i krijuar – Është e vërtetë, kur është grupi i njëjtë, ne i dimë të gjitha karakteristikat e çdo lojtari dhe kjo e bën grupin më të fortë dhe më të mirë, sepse e njohim më mirë lojtarin. Kjo është një shenjë e mirë dhe pozitive.

Rezultat pozitiv ndaj Polonisë? – Mentaliteti im është mentalitet fituesi. Në çdo ndeshje, hyj për të fituar dhe nuk i trembem askujt. Uroj të marrim fitore dhe kjo na ndihmon për të ecur përpara.

Nga ana tjetër, edhe Albi Doka theksoi se fokusi kryesor i skuadrës është sfida e parë ndaj Polonisë, ndërsa u shpreh se shpreson te një përsëritje e suksesit që arriti Kombëtarja në vitin 2016, duke pasur parasysh grupin e mirë që ka.

Sfidat e shtatorit – Kemi tre ndeshje, por duhet të fokusohemi te ndeshja me Poloninë, sepse nëse ia dalim në këtë ndeshje, dy të tjerat i kemi në shtëpi dhe do kemi edhe mbështetjen e tifozëve. Besoj se do marrim një rezultat të mirë.

Sukses me grupin e krijuar? – Mendoj se po, pasi kemi kohë si grup dhe jemi grumbulluar edhe më parë. Besoj që po, mund t’ia dalim me grupin që kemi krijuar.

Polakët, pengesa më e madhe? – Po, Polonia është ekipi më i fortë që kemi, por ne nuk duhet t’i trembemi me këtë grup lojtarësh që kemi. Jam me fat që stërvitem me këta lojtarë.

Përsëritje e arritjes së Kombëtares në 2016? – Normale që e mendojmë me njëri-tjetrin dhe e bisedojmë. Duhet ta ëndërrojmë atë gjë sepse prandaj jemi këtu, për të arritur atë qëllim.

A ndikon pauza verore te gjendja e lojtarëve? – Jo, jemi më të karikuar sepse kemi ardhur vetëm për një motiv dhe motivi është që të marrim rezultate sa më të mira.

Exit mobile version