Në episodin e 43-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, i ftuar ishte kirurgu vaskular, Halil Krasniqi, i cili ndau me publikun njohuri dhe këshilla të vlefshme për shëndetin e enëve të gjakut dhe parandalimin e sëmundjeve vaskulare.
Gjatë bisedës, Krasniqi foli për shenjat e hershme të bllokimit të arterieve, si dhimbjet në këmbë gjatë ecjes, ftohja e gjymtyrëve dhe plagët që shërohen ngadalë.
Ai theksoi se pirja e duhanit është faktori më i madh i rrezikut për sëmundjet vaskulare, duke e cilësuar si një nga arsyet kryesore pse pacientët përfundojnë në operacione të rënda.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua variçeve (venave), të cilat shpesh keqkuptohen si problem estetik, ndërsa në fakt janë shenjë e çrregullimeve të qarkullimit të gjakut.
Po ashtu, Krasniqi solli në vëmendje ndikimin e ushqimit të pashëndetshëm në enët e gjakut dhe vlerën e ecjes së përditshme si “ilaçi më i lirë dhe më i fuqishëm” për mirëmbajtjen e shëndetit vaskular.
Kirurgu vaskular tregoi edhe se cilat janë simptomat alarmante kur një person duhet të drejtohet menjëherë te mjeku si: mpirja, dhimbja e papritur dhe ndryshimi i ngjyrës së gjymtyrëve.
Ai sqaroi gjithashtu se jo çdo pacient ka nevojë për operacion, pasi në shumë raste ndryshimi i stilit të jetesës sjell përmirësime të ndjeshme. /Telegrafi/