Qyteza e Ulzës vetëm 1 orë e 10 minuta larg Tiranës, është një nga destinacionet më interesante për të kaluar fundjavën, mes qetësisë dhe bukurive që kjo qytezë ofron.
Tashmë atë e vizitojnë edhe turistë që vijnë nga qytete të tjera të vendit, si dhe turistë të huaj nga Italia, Franca, Gjermania, Çekia e Polonia.
E pozicionuar midis bashkive Mat dhe Mirditë, Parku Rajonal i liqenit të Ulzës ka një sipërfaqe prej 4,206 hektarësh dhe shtrihet nëpër të gjithë kurorën e liqenit të Ulëzës dhe Shkopetit, në një lartësi 400 m mbi nivelin e detit.
Kjo është zona turistike më e afërt për banorët e këtyre bashkive, të cilët e frekuentojnë edhe për plazh gjatë verës. Pas shpalljes Park Natyror Rajonal rreth pesë vite më parë, tashmë Ulzën e vizitojnë edhe turistë që vijnë nga qytete të tjera të vendit, si dhe turistë të huaj.
Në këtë qytezë, turistët vendas dhe të huaj shijojnë bukuritë natyrore si dhe pyjet e shumta duke bërë hiking dhe eksploruar shtigjet. Gjithashtu turistët e aventurës mund të shijojnë lundrimin me kanoe në liqen. Për të apasionuarit pas turizmit të kulturës mund të vizitojnë kullat e vjetra plot histori nga e kaluara dhe kishat.
Mikpritja dhe kulinaria e shumëllojshme nuk mungojnë në këtë qytezë ku vizitorët shijojnë ushqimi tradicional me bazë peshku dhe prodhimet bujqësore të zonës.
Ulëza ka shumë për t’i ofruar turistëve përgjatë gjithë vitit.
/ KultPlus