UBT News

UEFA gjobit Fenerbahçen me 10 milionë euro: Nën llupë kontratat e Mourinhos dhe Akturkoglu

Shtëpia e futbollit evropian, UEFA, ka ndëshkuar sot zyrtarisht klubin turk Fenerbahçe me një gjobë prej 10 milionë eurosh, pas konstatimit të një sërë parregullsish dhe manipulimesh në operacionet financiare.

Ky vendim erdhi nga departamenti special i UEFA-s për qëndrueshmëri financiare, i cili pas një monitorimi të rreptë të shpenzimeve dhe të ardhurave, gjeti parregullsi në pagat e lojtarëve, tarifat e agjentëve dhe transferimet e fundit.

Në qendër të hetimit ishin artikujt e dyshimtë në kontratat e emrave të mëdhenj si trajneri Jose Mourinho dhe lojtarët Milan Skriniar, Diego Carlos e Kerem Akturkoglu. Vëmendje e veçantë iu kushtua rastit të yllit turk, Kerem Akturkoglu, transferimi i të cilit nga Benfica verën e kaluar nxori në dritë praktika të dyshimta të pagesave.

Akturkoglu, i cili për vite me radhë ishte shtylla e rivalëve të Galatasarayt me një pagë modeste, u transferua te Benfica në vitin 2024, ku pas shkëlqimit të tij dhe eliminimit që i bëri pikërisht Fenerbahçes nga Liga e Kampionëve, u ble menjëherë nga këta të fundit për 22.5 milionë euro.

Edhe pse shifra prej 10 milionë eurosh nuk e kalon rekordin e gjobave të vëna ndaj klubeve si Chelsea apo PSG, ajo konsiderohet një goditje e rëndë për financat e klubit nga Stambolli.

Ky ndëshkim shërben si një paralajmërim i qartë nga UEFA për respektimin e rregullave të “Fair Play-it Financiar”, duke vënë në pah se as emrat e mëdhenj të stolit apo fushës nuk mund t’i mbrojnë klubet nga sanksionet në rast të mashtrimeve me kontratat.

 

Exit mobile version