Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka shqiptuar një dënim të rëndë ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për shkeljet e evidentuara në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Izraelit, e cila u zhvillua javën e kaluar dhe përfundoi me barazim 0:0. Pas hapjes së disa procedurave disiplinore, Trupi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s vendosi ta gjobisë FFK-në me gjithsej 42 mijë e 250 euro, si dhe t’i shqiptojë dënim me kusht për mbylljen e pjesshme të stadiumit “Fadil Vokrri” në ndeshjen e ardhshme si vendase.
Sipas vendimeve të publikuara të enjten, pjesa më e madhe e gjobës, prej 20 mijë eurosh, është shqiptuar për transmetimin e një mesazhi të papërshtatshëm për ngjarje sportive, pa saktësuar se për cilin mesazh bëhet fjalë. Për sjellje raciste ose diskriminuese, FFK-ja është ndëshkuar me 10 mijë euro gjobë dhe me urdhrin për mbylljen e një sektori të stadiumit për një ndeshje, dënim ky që mbetet me kusht. Po ashtu, 10 mijë euro të tjera janë ndarë për fishkëllimat dhe pengesat gjatë intonimit të himnit të Izraelit, ndërsa 2 mijë e 250 euro për hedhjen e gjësendeve në fushën e lojës.
Ky është ndëshkimi i dytë që UEFA i shqipton Kosovës në edicionin e pestë të Ligës së Kombeve, pas ndeshjes që bëri bujë edhe për faktin se disa lojtarë të Kosovës mbajtën kokën ulur në shenjë proteste gjatë himnit kundërshtar. Në po të njëjtën paketë vendimesh disiplinore, UEFA ka dënuar edhe federatat e Bosnjë-Hercegovinës, Rumanisë dhe Anglisë. /E.A/
