4 Korriku i vitit 1776 shënon një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne – shpalljen e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në 250-vjetorin e këtij akti historik, bota rikujton dhe feston vlerat universale të lirisë, demokracisë, barazisë dhe drejtësisë, mbi të cilat u ndërtua shteti amerikan dhe që vazhdojnë të frymëzojnë kombe e shoqëri anembanë globit.
Në këtë ditë të veçantë, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka uruar popullin amerikan për Ditën e Pavarësisë, duke theksuar rëndësinë e miqësisë së qëndrueshme dhe partneritetit të fortë ndërmjet popullit shqiptar dhe atij amerikan.
“Sot, në këtë jubile historik të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ne shprehim mirënjohjen dhe respektin tonë për një vend që është simbol i lirisë, demokracisë dhe mbështetjes së vazhdueshme për popullin e Kosovës. Miqësia ndërmjet shqiptarëve dhe amerikanëve është e veçantë, e sinqertë dhe e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta që forcohen brez pas brezi”, është shprehur Rektori Hajrizi.
UBT, si institucion lider në arsimin e lartë dhe inovacionin në Kosovë, vazhdon të ndërtojë dhe fuqizojë partneritetet me institucionet akademike dhe organizatat amerikane, duke krijuar ura bashkëpunimi në fushën e arsimit, teknologjisë, inovacionit dhe zhvillimit profesional.
Në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të SHBA-së, UBT organizoi forumin ndërkombëtar “Nga Çlirimi te Lidershipi: Edukimi i Gjeneratës së Ardhshme përmes Partneritetit Kosovë–SHBA”, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, si pjesë e projektit “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”, program zyrtar ndërkombëtar për këtë jubile historik.
Si Partneri Kryesor Akademik i kësaj nisme në Kosovë, UBT bëri bashkë diplomatë, akademikë, ekspertë amerikanë, përfaqësues institucionalë, profesorë dhe studentë, për të diskutuar mbi partneritetin strategjik Kosovë–SHBA, rolin e arsimit në ndërtimin e lidershipit demokratik dhe rëndësinë e bashkëpunimit akademik në forcimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë.
Me këtë rast, UBT nderoi edhe personalitete amerikane për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm ndaj Kosovës dhe partneritetit transatlantik.
